Fjalët kyçe të mesazhit të ambasadores Yuri Kim, projekti për kompromis dhe shuplaka e papritur për mazhorancën aktuale…

Ndoshta si rrallë ndonjëherë, një ambasadore amerikane përgatit dhe publikon enkas për një gazetë një editorial. Shumë mirë e lehtë fare mund ta kishte shpërndarë përmes rrjeteve sociale, por ka zgjedhur gazetën “Panorama”, më e madhe në vend në versionin e shtypur. Në fakt, ky editorial ka një surprizë jo të vogël.

“Gjatë një viti e gjysmë të shkuar, kam pasur mundësinë të udhëtoj gjithandej në këtë vend të bukur dhe të takoj sa më shumë njerëz që mundem. … çdo qytet, qytezë e fshat ka të veçantat e veta, por bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa.”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.


Sigurisht, mesazhi është për ata që qeverisin prej 8 vitesh, për mazhorancën aktuale. “Shuplaka” e papritur është pjesë e një sërë paragrafesh, të cilat përmbajnë “fjalë kyçe” që nuk është aspak e vështirë të kuptohen.  E natyrisht, ky paragrafk qartësisht nuk ka lidhje me opozitën dhe madje, indirekt mund të jetë një bonus për të.

Ambasadorja Kim kërkon edhe një kontroll tjetër të listave të deputetëve nga Basha dhe rama, para se Kuvendi i ri të nisë punën në shtator.

“Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre.”, është mesazhi, i cili mesa duket është një “çlirim” edhe për çeshtjen e shumë përfolur “Berisha”. Duket se ambasadorja amerikane tashmë po flet “në parim”, për të cilin janë apo duhet të jenë dakort jë vetëm udhëheqësit por të gjithë shqiptarët.

“Palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë.”, është mesazhi që mesa duket rikonfirmon atë që kemi pohuar edhe herë të tjera: Ekzistencën e një projekti që synon një përafrim në mes PS- PD deri në…bashkëqeverisje. Pas emisarëve gjermanë që jo zyrtarisht është thënë se po zhvillojnë negociata me palët, edhe ambasadorja Kim “çon ujë në këtë mulli”. Zbutja e qendrimit ndaj Berishës, duket se ka lidhje pikërisht me këtë projekt.

“Kompromis” është koncept shumë i gjërë. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe kompromisi është  “Marrëveshje që arrijnë dy palë kundërshtare duke i bërë lëshime njëra-tjetrës, pajtim me lëshime”. Sigurisht, para se ta shkruajë nuk besojmë së Kim ka lexuar kuptimin në Fjalorin tonë por me shumë mundësi, i njëjti koncept është edhe në gjuhët e huaja, edhe atë angleze. Ambasadorja amerikane e thotë qartë se duhet kompromis për bashkëpunim. E si gjithmonë në këto raste, e mësuar tashmë me mentalitetin dhe kauzat që justifikojnë edhe bashkëpunime të paimagjinueshme, gjithçka duhet të bëhet për një ” kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”.

Me shumë mundësi, muaji gusht do të shohë të tjerë “editorial” dhe jo vetëm nga ambasadorja Kim por edhe kolegë të saj, ndoshta edhe nga jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Çdo gjë, është një funksion të një projekti, i cili tashmë ka nisur të dalë më shumë mbi ujë, por siç kanë treguar këto 30 vite, mund të mbetet vetëm një…projekt. /Nga Blerti DELIJA/