
Po zbardhen një nga një emrat e mbi 20 diplomatëve të shkarkuar tri ditë më parë nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Ndonëse zyrtarisht ministria nuk ka vënë në dispozicion të medieve asnjë listë emrash, tashmë është e pamundur që kjo listë të mbahet sekret.
Sidomos kur kemi të bëjmë me emra diplomatësh të njohur.
Kështu është shkarkuar vëllai i gazetarit të njohur Arjan Çani. ALKET ÇANI nuk do të jetë më në diplomacinë e Ambasadës Shqiptare në Francë.
Është shkarkuar gjithashtu motra e manjatit të medias, Aleksandër Frangajt. Bëhet fjalë për MAJLINDA DODAJN e cila shërbente si diplomate në Ambasadën e Shqipërisë në Vatikan.
Edhe INID MILO, vajza e historianit të njohur Paskal Milo nuk do të jetë më drejtore në drejtorinë e NATO-s pranë ministrisë së Jashtme.
Në listën e të larguarve nga Cakaj është dhe djali i analistit Preç Zogaj, BESJAN ZOGAJ gjithashtu diplomat në ministrinë e Jashtme.
Edhe këshilltares për median dhe diasporën në Ambasadën shqiptare në Londër PRANVERA SKANA, i është ndërprerë mandati, edhe pse Skana nga ana e saj tha ditën e djeshme se thjesht i ka mbaruar kontrata dhe se së shpejti do të kthehet në Tiranë.
Dy diplomatet FLORIAN NOVA dhe ENKELEJDA RIZA në Ambasadën shqiptare në Greqi janë shkarkuar gjithashtu.
Pjesë e listës së të shkarkuarve është edhe konsulli shqiptar në Romë, EDMOND KUMARAKU si dhe diplomatja e Shqipërisë në Hollandë, XHULI KEKO, bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë Teodor Keko.