
Nëse në vajtje përdori linjat tranzitore me avion, me itinerarin Tiranë-Bolonja-Kraiovë, kthimi ishte vetëm me autobus. Edhe pse mund të duket habi për një pjesë të njerëzve, është fakt se Vllaznia është kthyer dje në Shkodër pas plot 14 orësh udhëtim me autobus.
Natyrisht, për një klub profesionist dhe që arkëton nga UEFA 450 mijë euro vetëm për pjesëmarrjen në turin e dytë të Ligës së Konferencës, kjo mund të duket absurde, por është tashmë një realitet.
“Panorama Sport” mëson se autobusi i ekipit kuqeblu është nisur në paraditen e së premtes nga Rumania me destinacion fillimisht Serbinë, më pas në Kosovë dhe në fund Shkodër.
Kanë qenë orë sfilitëse udhëtimi për lojtarët dhe stafin, por drejtuesit e klubit e kishin parë të arsyeshme që kthimi mos të bëhej me linja ajrore, por vetëm me autobus.
Kjo verë në Kupat e Europës tregoi se klubet shqiptare kanë probleme të theksuara edhe në organizim, pasi detaji i udhëtimit është shumë domethënës.
Njësoj si Vllaznia veproi së fundmi edhe Tirana, ndërsa më parë Laçi kishte shkuar drejt Moldavisë i ndarë në dy grupe.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!