Një situatë e paprecedent ka ndodhur në startin e ndeshjes mes Brazilit dhe Argjentinës në Recife, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022. Autoritetet shëndetësore braziliane, nuk lejojnë zhvillimin e sfidës mes dy skuadrave dhe zyrtarë të saj kanë ndaluar takimin në minutën e katërt duke hyrë në fushë.
Zyrtare të Anvisa, policisë shëndetësore te Brazilit, kanë hyrë në fushë dhe kanë shpjeguar se katër futbollistë të Argjentinës; Emiliano Martinez, Emiliano Buendia, Xhiovani Lo Celso dhe Kristian Romero, nuk duhej të ishin në stadium pasi vinin nga Anglia dhe në teori duhej të ishin në karantinë. Ata kishin bërë të qartë se lojtarët nuk duhej të dilnin nga hoteli ku gjendeshin, por kur kanë mësuar se ata kanë udhëtuar drejt stadiumit për ndeshjen, kanë ndërhyrë.
Një ngjarje e paprecedent, që ka irrituar lojtarët e të dy skuadrave. Mesi dhe Nejmar, kapitenët e dy përfaqësueseve kanë folur me zyrtarët në fjalë, por nuk kanë arritur të zgjidhin asgjë, sepse ata kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sfidës.
Kështu, skuadrat janë drejtuar për në dhomat e zhveshjeve, në pritje të një vendimi që do të merrej nga CONMEBOL, në një situatë pa precedent në futbollin Botëror. Katër lojtarët në fjalë kishin marrë leje nga CONMEBOL për të qenë në këtë sfidë, pro me sa duket jo në autoritet përkatëse në Brazil.