Teksa nesër, Parlamenti pritet të miratojë ndryshimet e ligjit për median elektronike në Shqipërisë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bën disa propozime, që në thelb nuk e ndryshojnë variantin e propozuar nga qeveria mbi paketën antishpifje. Kështu, Balla propozon që vendimet e Autoritetit të Medias Audiovizive të ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
“Në nenin 25, (që shton nenin 51/1) pas pikës 8, shtohet pika 9 me këtë përmbajtje: “9. Vendimet e Këshillit të Ankesave sipas këtij neni ankimohen në Bordin e AMA-s sipas parashikimeve të këtij ligji. Vendimet e Bordit të AMA ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, thuhet në propozimin e bërë nga Balla.
Vendimi paraprak për portalet e merr Këshilli i Ankesave, i cili pritet të ngrihet pas miratimit të ligjit, për të kaluar më pas në Bordin e AMA-së.
Gjithashtu, Balla propozon që në nenin 29 të shtohet edhe togfjalëshi “për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizive”, çka nënkupton të përfshihen edhe radiot dhe televizionet.
Pika 5 ndryshohet me përmbajtjen si vijon: Në lidhje me përmbajtet e publikuara nga OSHPE-të, AMA vendos si më poshtë: a) urdhëron heqjen e përmbajtjes ose pengon aksesin në përmbajtjen që dyshohet se, sipas parashikimeve të legjislacionit penal në fuqi, përbën veprën penale. b) vendosë, një njoftim “pop up” në faqen e internetit/domain-in e portalit i cili përmban informacion mbi vendimet e organeve vendimmarrëse të AMA-s.
Në propozimet e tij, Balla ndalet edhe tek gjoba që do të vendosen, duke propozuar masa të tilla si:
a) nga 100 000 Lekë deri në 1 000 000 Lekë në rastet kur OSHMA-të shkelin detyrimet e parashikuara në nenin 33 dhe 37 të këtij ligji;
b) nga 100 000 Lekë deri në 600 000 Lekë në rastet kur OSHPE-të shkelin detyrimet e parashikuara në nenin 33/1 të këtij ligji;
c) Nga 40 000 Lekë deri në 800 000 Lekë kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave ose e drejta për përgjigje sipas parashikimeve të nenit 53/1 të këtij Ligji.
Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës të përmendur më lart. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”.