DOKUMENTI – Letra që ngeli e panënshkruar, kleriku shkodran Dom Mikel Beltoja që refuzoi të kërkonte ti falej jeta…

Me vendimin nr.229, datë 4.9.1973 Gjykata e Rrethi Shkodër dënoi me vdekje Dom Hil Gjonin (Mikel Beltoja). Pas dhënies së dënimit këshilltari ligjor Vangjel Mano i përgatiti një lutje drejtuar Gjykatës së Lartë, duke i kërkuar ta nënshkruajë.

Duke qenë se kish mbajtur një qëndrim të qartë kundër regjimit, kleriku refuzoi nënshkrimin. Figura e klerikut portretizohej kështu nga njerëzit e regjimit:

“Partinë, pushtetin dhe udhëheqjen tonë i konsideroi servilë duke i paraqitur pa ekuilibër dhe se i janë nënshtruar sa një shteti dhe një shteti tjetër. Bëri thirrje në sallën e gjyqit duke iu drejtuar të pranishmëve që të mos dëgjojnë fjalët e partisë dhe të Enver Hoxhës, por të kthehen në rrugën e Zotit, sepse do të vijë një ditë që do pendoheshin, por do ishte vonë.

Në përgjithësi qëndrimi i tij ka qenë me shprehjet nga më armiqësoret kundër ideologjisë tonë marksiste-leniniste, partisë tonë dhe udhëheqësit shokut Enver”.


Dënimi me vdekje u la në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Gjykatës së Lartë. Pas dënimit, kryetari i kësaj gjykate, Aranit Çela i shkruante Presidiumit të Kuvendit Popullor që të mos t’i falte jetën pasi i dënuari ishte “armik i betuar i pushtetit popullor”, “me personalitet të keq”, kishte thënë se udhëheqësit komunistë ishin servilë e të shitur, etj.

Theksohej se refuzonte kategorikisht të kërkonte falje sepse nuk e quante veten fajtor. Ky ishte pushkatimi i fundit në formë të prerë i një kleriku që nënshkruante Aranit Çela. /Publikuar në Facebook nga Kastriot DERVISHI/

Open

Close