Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia, kandidat për një mandat të dytë me 14 maj 2023, ka publikuar programin e tij për vitet 2023- 2027. Në formatin PDF, Spahia e ka publikuar programin në faqen e tij zyrtare në internet, nga ku mund të aksesohet nga të gjithë të interesuatit.
Programi është paraprirë në faqen e tij të parë, nga një mesazh i shkurtër i Spahisë, i cili mes të tjerave evidenton se ekspertët më të mirë kanë punuar për ndërtimin e tij, duke e orientuar Bashkinë Shkodër drejt zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes ekonomike, hapjes dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet me institucionet kombëtare, partnerët ndërkombëtare dhe investitorë strategjik.
Në mesazhin e tij, në hapje të programit për periudhën 2023- 2027, Bardh Spahia shkruan:
“Të dashur bashkëqytetarë të Bashkisë Shkodër. Zgjedhjet e 14 Majit janë një moment i rëndësishëm për të gjithë ne, e mbi të gjitha për rrugën që duam të ndjekim për këtë 4-vjeçar në zhvillimin e bashkisë tonë. Kam kënaqësinë t’ju njoh me programin tonë për drejtimin e Shkodrës në këto 4 vite, i cili vjen i projektuar në detaje për t’i dhënë zhvillimin e duhur territorit me të gjitha potencialet që ka. Ekspertët më të mirë kanë punuar për ndërtimin e tij, duke e orientuar Bashkinë Shkodër drejt zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes ekonomike, hapjes dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet me institucionet kombëtare, partnerët ndërkombëtare dhe investitorë strategjik. Programi ynë 2023-2027 projekton një bashki që ndryshon me hapa të shpejtë dhe që kthehet lider në rajon.”
KLIKONI KËTË LINK PËR TË LEXUAR PROGRAMIN E PLOTË TË KANDIDATIT BARDH SPAHIA