Edhe pse pronari i resortit turistik në Velipojë që shpërtheu dy ditë ka humbur jetën në spital, Prokuroria ka ngritur ndaj tij dy akuza, për “Shkatërrim prone nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të sigurisë teknike”. Tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë në Velipojë, ndërsa nën hetim është dhe pronari i resortit Besnik Zenuni. Ndaj tij mësohet se ka bërë padi edhe Inspektoriati Teknik. Ndërsa burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se pritet ekzaminimi i bërë nga zjarrfikësja, të nisur një procedim penal ndaj shkaktuesve të shpërthimit mëngjesin e së premtes në Velipojë. Po ashtu, mësohet se hetimi do të bëhet edhe ndaj inspektorëve të ISHTI-së, nëse ata kanë kryer kontrolle në ambientin e bodrumit ku ishte vendosur cisterna e gazit 1 mijë litërshe. Nga shpërthimi i saj mbetëm katër persona të plagosur ndërsa shkatërroi plotësisht restorantin në pronësi të shtetasit Besnik Zenuni, i cili mbeti i plagosur bashkë me të birin, Hektorin. Ndërkohë, nga hetimi i kryer, burimet thonë se shkak i shpërthimit ka qenë rrjedhja e gazit të çisternës së vendosur në bodrumin e resorit turistik. Burime nga spitali bënë të ditur te shtunen se Besnik Zenuni ndodhetj në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar djegie në 90% të trupit, ndërsa djali i tij Hektor Zenuni ka pësuar djegie në 70% të trupit. Po ashtu, e plagosur mbeti turistja kosovare Saida Spahija dhe një infermiere, Vjollca Voci e cila u asfiksua në vendin e ngjarjes.
Rrëfimi
Hektor Zenuni ndodhet i shtruar në Repartin e Djegie Plastikës në QSUT-së në Tiranë dhe ka pësuar djegie në 70% të trupit. Ai mësohet të jetë i vetëdijshëm. Madje ai mësohet se u ka treguar hetuesve se ku ka qenë momentin e shpërthimit dhe veprimet që kishte kryer. Sipas të riut, kur ndodhi ngjarja kishin pak kohë që e kishin hapur lokalin. Babai i tij kishte zbritur në bodrum për të rregulluar çisternën me gaz, pasi ishte e prishur. Por, në një moment Hektori tregon se ka dëgjuar një shpërthim. Menjëherë është futur në bodrum dhe ka gjetur të atin të shtrirë në tokë. “Isha në banak kohën kur dëgjova shpërthimin. Zbrita menjëherë të shikoja se çfarë ndodhi, por pashë të shtrirë babanë. E mora menjëherë në krahë për ta nxjerrë jashtë, por pas disa sekondash ndodhi një shpërthim tjetër. Më shtyu fort përpara dhe që nga ky moment nuk mbaj mend se çfarë ndodhi. Jam zgjuar në spital”, është shprehur 33-vjeçari. Të dy atë e bir u plagosën rëndë nga shpërthimi, që lëndoi edhe disa persona të tjerë dhe vuri në rrezik jetën e shumë pushuesve.
Sipas verifikimeve të para të policisë dhe prokurorisë, çisterna e gazit me 1 mijë litra ishte vendosur poshtë lokalit, në një bodrum jashtë kushteve teknike dhe pa lejet përkatëse. Grupi hetimor bën të ditur se rrjedhja e gazit ka ardhur nga çisterna, e cila ka provokuar më pas shpërthimin dhe përhapjen e flakëve, ndërsa bombolat në lokal nuk kanë shpërthyer. E para që u erdhi në ndihmë të plagosurve ishte një pushuese, e cila u përpoq të hiqte nga rrezja e shpërthimit një nga të lënduarit kur të gjithë të tjerët ikën të trembur. E dëmtuar nga ngjarja ishte edhe infermierja e qendrës shëndetësore të Velipojës. Vjollca Voci ishte e para që mbërriti në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të plagosurit. “Në momentin që kam hipur në ambulancë kam telefonuar zjarrfikësit. Kur kemi mbërritur aty kemi gjetur njerëz duke bërtitur e të trembur. Asnjë nuk i ishte afruar djalit të plagosur. Iu afrova dhe i thash “rri i qetë se je mirë”, ka treguar Voci për mediat. Vetë ajo ishte e lënduara e katërt, e cila u dërgua ne spital, por fatmirësisht pa dëme serioze. “Kur hyra në pallat, tymi më asfiksoi dhe nuk mbaj mend gjë. Dola jashtë dhe kur arrita në spital kuptova që isha në duart e mjekëve.
Si ky rast nuk ka ndodhur ndonjëherë. Druheshim për më shumë njerëz të lënduar, por falë Zotit mbaroi me aq”, thotë infermierja. Ndërkohë, ngjarja e rëndë ndodhi orët e paradites së premte. Vala e shpërthimit ka goditur më së shumti pronarin e resorit, 55-vjeçarin, Besnik Zenuni, i cili nderroi jete mesnaten e te shtunes. Ditën e ngjarjes, dëshmitarët tregonin se flaka doli nga kuzhina e lokalit, ndërsa fatmirësisht aty ndodheshin shumë pak persona. Tre klientë sapo po largoheshin dhe fatmirësisht shpëtuan, ndërsa vala e flakës goditi 19–vjeçaren nga Kosova që ndodhej pranë. Flaka mësohet se ishte shumë e madhe, sa u ngjit shumë lart, duke përfshirë të gjitha ballkonet dhe dritaret e resorit 5 katesh. Një pjesë e madhe e turistëve nga Kosova si pasojë e kësaj ngjarjeje thanë se humbën dokumentet e tyre personale. /SHEKULLI.COM.AL/