Nga Blerti DELIJA
Kuvendi Kombëtar i PD-së ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm. Për herë të parë në gjithë këto vite, një lider politik kërkon ndjesë publike para delegatëve të një kongresi, u mundua të shpjegojë edhe rrethanat që e detyruan të ndërmarrë veprime që mbase dëmtuan edhe partinë dhe përsëriti ftesën për të gjithë kritikët e larguar për t’iu bashkuar në misionin e rrëzimit të mazhorancës aktuale. Këtë e bëri sot Lulzim Basha.
Nuk kam qënë dhe nuk jam nga njerëzit që kam vlerësuar publikisht lidershipin e tij në krye të PD-së. E kam ditur dhe e kam thënë publikisht se gaboi me futjen në çadër por edhe daljen nga ajo në emër të një marrëveshje që në fakt e çoi opozitën në një rezultat shumë të dobët elektoral. Nga ana tjetër, si unë edhe shumë të tjerë e kanë patur të qartë se “ministrat teknikë” do të kenë efekt zero në “mbarëvajtjen” e zgjedhjeve. Ishte e qartë se për shumë arsye, para dhe pas zgjedhjeve të 2017-ës Basha gaboi edhe me përjashtimin e “senatorëve”. Natyrisht jo të gjithë, por disa.
Por sot Basha tha një të vertetë që të gjithë ne shqiptarët e dimë: Pozicionimet e tij kanë qënë të kushtëzuara nga faktori ndërkombëtar! Më thoni një politikan këto 28 vite që nuk është ndikuar pak apo shumë nga ndërkombëtarët në Shqipëri?! Asnjë! Shtoji kësaj edhe mungesën e dukshme të eksperiencës politike por…edhe këshillimin e keq të njerëtve që kishte afër. Mungesë kjo që buron nga fakti se karriera politike e Bashës është paraprirë gjithmonë nga hija e Berishës në PD. Ashtu sië do të ishte me çdo kryetar tjetër që do ta pasonte atë pas dorëheqjes së 2013-ës.
Lulzim Basha është shumë i ri, jo aq shumë në të dhënat jetësore, sa në kohën e qëndrimit në jetën politike. 13 vite janë shumë pak, po ti shtosh edhe moshën e re. Të gjithë biem dakort të paktën në diçka: As në 2013-ën, as në 2017-ën dhe ndoshta në asnjë rrethanë, një kryetar partie në Shqipëri mund të largohet me votën e antarësisë. Nuk ka ndodhur as në partitë e vogla, aq më pak në partitë e mëdha. Sidomos në rastin e Lulzim Bashës që qartazi ka një mentor ë fuqishëm siç është Berisha.
Me aq sa e njoh politikën shqiptare të këtyre 28- viteve, Berisha është lideri politik më i përshtatshëm dhe më i fuqishëm sidomos në rolin e të bërit opozitë. Pa më të voglin dyshim, PD do të kishte nevojë për Berishën në drejtim, veçanërisht pas humbjes në 2017-ën. Mirëpo, edhe në këtë Kuvend po flitet për hapje, për gjithëpërfshirje, për sistem vlerash por edhe qarkullim elitash. Sidomos me qëndrimin e Berishës që nuk kërkon asnjë pozicion ekzekutiv në PD, kjo temë është e mbyllur.
Basha, para këtij Kuvendi bëri edhe një hap të qartë afrimi me kritiken e tij më të madhe, Jozefina Topallin. Pavarësisht të gjithave, ish- deputetja e Shkodrës do të ketë një post në Këshillin Kombëtar, të paktën deri sa të jetë në fuqi ky statut. Edhe gjatë ditës së sotme, Basha vijoi të japë shenja të rëndësishme. Të gjitha fjalimet e kritikëve të tij jo vetëm u transmetuan në media, por edhe nga vetë Basha në Facebook-un e tij.
E çfarë mund të bënte më shumë sot Basha? Kritikët mund të tregohen edhe irracionale: mund të kërkonte votbesim nga Kuvendi apo nga Këshilli Kombëtar. Por në këtë rast, do të kishte një invertim të tmerrshëm të parimeve demokratike, sepse kryetari i PD-së edhe në 2013-ën, edhe në 2017-ën është zgjedhur nga e gjithë antarësia në emër të parimit “një antar, një votë”. Pak a shumë, sikur një deputeti ti hiqej mandati nga grupi i tij parlamentar apo forumet e partisë përkatëse. Pavarësisht se është e destinuar të mbetet hipotezë, edhe nëse do ti nënshtrohej votimit në Këshillin Kombëtar apo në Kuvendin Kombëtar, Basha sërish do të votëbesohej masivisht. Sepse mbi kokë ka jo vetëm aureolën e kryetarit të zgjedhur me votim nga të gjithë demokratët, por edhe atë të kryeministrit të ardhshëm.
Në fund, një vlerësim jo vetëm për transmetimin pa censurë të punimeve të Kuvendit Kombëtar, por edhe për kritikët. U ngjitën në tribunë dhe dhanë mendimet e tyre. I’a thanë të gjitha përballë Lulzim Bashës. Jo vetëm “senatorët”, por edhe demokratë të thjeshtë si ish- kryetari i Kukësit. Të njëjtën gë mund të kishin bërë edhe “senatorët” e tjerë që zgjodhën të mos ishin të pranishëm. Në fund, gjithmonë vendos vota. Është ky rregulli që qindra herë e kanë përmendur drejtuesit, ish- drejtuesit, senatorët apo ish- senatorët. Jo rrallë herë edhe ide brilante janë shtypur nën peshën e votës së shumicës dhe kanë vdekur pa lindur akoma. Dhe jo vetëm në Shqipëri.
Sot Lulzim Basha nuk mund të bënte më shumë! Përveç se…të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD-së! Edhe kjo, jo për të kënaqur shumicën e demokratëve dhe kjo tashmë është e qartë!