Dakordësohet përfundimisht data dhe ora për mbledhjen e Këshillit Politik, ku pritet të ulen sërish përballë njëra- tjetrës, Opozita e Bashkuar dhe mazhoranca.
Ndërsa Opozita e Bashkuar u shpreh e hapur për të diskutuar për çdo çështje që ka të bëjë me reformën zgjedhore, përveç marrëveshjes së 5 qershorit që për ta nuk preket, palët u dakordësuan edhe për datën.
Bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri pasi mori përgjigjen e Opozitës së Bashkuar, zgjodhi një prej datave të propozuara më herët. Kështu palët pritet të ulen bashkë ditën e hënë në orën 11:00.
“Në vijim dhe të përgjigjes nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, mbledhja e tryezës së Këshillit Politik mbahet ditën e hënë ora 11:00”, theksohet në njoftimin e mazhorancës.
Ndërsa kryeministri Rama pritet të negociojë vetë detajet e marrëveshjes së mundshme mes tyre, kryedemokrati Lulzim Basha nuk do ulet në një tryezë me të, duke ia besuar ekspertëve rreth tij, çështjet teknike.