Pas publikimit të lajmit mbi ndalimin e ish-deputetit Eduart Ndocaj, vjen reagimi nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit. Nenjë prononcim nga drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe mesohet se Policia e Durrësit nuk është vënë në dijeni për ndalimin e Ndocajt në portin e Durrësit, pavarësisht se duhet të ishte njoftuar nga Policia Kufitare nëse do të kishte një masë të tillë për ish-deputetin.
“Nuk kemi asnjë informacion apo dijeni mbi kryerjen e ndonjë veprimi për shtetasin Eduard Ndocaj. Policia Kufitare nuk na ka dhënë asnjë informacion zyrtar në formën e komunikatës së shtypit apo të na ketë vënë në dijeni në lidhje me arrestimin apo ndonjë veprim ndaj shtetasit Eduard Ndocaj. Policia Kufitare, e cila është komisariat më vetë nëse ka kryer ndonjë veprim, ia ka kaluar direkt Drejtorisë së Shtetit, dhe Policia e Durrësit nuk është në dijeni të ndonjë veprimi të kryer nga ajo. Policia Kufitare e ka detyrë ligjore që t’ja kalojë informacionin zyrtar zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Durrësit për veprime që kryen gjatë 24 orëve për t’u paraqitur në komunikatën e Drejtorisë së Policisë Vendore. Policia e Durrësit është njohur me rastin nëpërmjet medias.”, thuhet në reagimin e Policisë së Durrësit.
Ndërkohë, gazetarja u interesua në Portin e Durrësit, por shefja e Policisë Kufitare Linda Nushi nuk e ka të disponueshëm telefonin zyrtar të punës. /balkanweb/