Edhe për Gilman Likën erdhi momenti. Në ndeshjen e parë të Superligës për Vllazninë në Shkodër, Lika goditi topin e fundit si profesionist në “Loro Boriçi”. Si për çdo futbollist nuk është moment i lehtë “të varë këpucët në gozhdë”, siç thuhet në këto raste edhe pse Gilman Lika do të jetë pranë futbollit si trajner.
Në këtë moment të rëndësishëm të jetës e karrierës sportive, ai ka një falenderim publik. Janë të shumtë ata që ai falenderon por përmend nominalisht Vllazninë dhe tifozët e Shkodrës. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Gilman Lika shkruan:
“Aty ku nisi aty mbaroj. 2004-2020. Falenderimi i pare eshte per Zotin e madh. Falenderimi tjeter eshte per familjen qe ishin mbeshtetja jeme kryesore. Falenderoj klubin Vllaznia dhe gjithe tifozat e Shkodres per respektin dhe dashamirsine e treguar, gjithashtu dhe te gjithe ekipet,tifozet,presidentat, trajnerat dhe futbollistat qe ishin pjese e rrugetimit tim. Me respekt Gilman Lika”.
Gilman Lika është një nga futbollistët e spikatur të Vllaznisë pas vitit 1990. Sot, në moshën 34 vjeçare, bilanci i tij është për tu patur zili. Me Kombëtaren A, ai është aktivizuar 19 ndeshje, të cilave u duhen shtuar edhe 12 ndeshje me Kombëtaren U-21, 3 me Kombëtaren U-19 dhe po kaq me Kombëtaren U-17.
Në karrierën e tij si futbollist, të cilën e nisi nga Vllaznia, ai është aktivizuar edhe me Hacettepe, Boluspor, Diyarbakirspor, KF Tirana, KF Skenderbeu, Faisaly, FC Flamurtari për ta mbyllkur sërish me kuqeblutë, ku dha një kontribut të madh në rikthimin e menjëhershëm të ekipit shkodran në Superiore pasi ra një kategori më poshtë.
Me rastin lënies të futbollit të luajtur, ShkodraWeb i uron suksese në jetë dhe në karrierën e nisur si trajner në fushat e gjelbra. /ShkodraWeb/