Një ditë pas deklaratave të forta të ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu mbi klanet, familjet dhe krimin e organizuar në Shqipëri, analistë dhe studiues të shoqërisë shqiptare pohuan se kriminaliteti nuk goditet sa duhet për shkak të lidhjeve të tij me politikën.
Analisti i njohur i çështjeve të kriminalitetit dhe sigurisë, Artan Hoxha tha se policia dhe drejtësia frenohen nga politika në operacionet kundër kriminelëve dhe ata as nuk kapen fare, ose edhe kur kapen nuk gjykohen si duhet.
“Lidhjet e politikës me krimin janë të vërtetuara dhe mbështetja e SHBA-ve për forcat e rendit është rruga më e mirë në luftën kundër krimit të organizuar. Mbështetja e amerikanëve edhe për reformën në drejtësi është e vetmja shpresë që ajo të ketë sukses përballë sabotimeve dhe zvarritjeve, që po shkaktojnë politikanët e korruptuar” – tha zoti Hoxha.
Fjalimi i ambasadorit amerikan Lu renditi plagët e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, thotë zoti Hoxha, dhe ishte një presion i munguar ndaj autoriteteve për shkak të zgjedhjeve prej disa muajsh, ndonëse sipas tij, qytetarët shqiptarë i dinë shumë mirë rrjetat dhe buxhetet e krimit në vend, të cilat janë më të mëdha se ato të policisë.
Deklaratat e diplomatëve perëndimorë kundër kriminalitetit në vend vlerësohen në zyrat e Lëvizjes Europiane të Shqipërisë si një nxitje e fortë për të shënuar rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, që është një nga kushtet kryesore për t’u anëtarësuar në BE.
“Këtë tetor nuk pritet të ketë një raport vlerësimi nga BE për ecurinë e Shqipërisë, por në dhjetor pritet të ketë konsiderata për vendet kandidate dhe në mars krijohet një opinion më i plotë, ndaj Tirana ka edhe disa muaj kohë deri në pranverë, për të shënuar rezultate konkrete në luftën kundër krimit, i cili është një parakusht i përhershëm qysh prej dy dekadash” – thotë zoti Gjipali.
Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu tha të hënën në ceremoninë e 20 vjetorit të shkollës së magjistraturës se vendi kontrollohet nga 4 klane kriminale, 20 familje të lidhura me botën e krimit, duke sjellë edhe shembuj të dështimit të policisë, prokurorisë dhe gjykatave, që nuk kapin dhe nuk burgosin dot pjesëtarë të njohur të botës së krimit./balkanweb/