ANALIZA – Unë Edi Rama, i përkëdheluri i perëndisë…

Fillimi i vitit 2020 shihet si fillimi i fundit të dekadës së errët të ekonomisë e politikës shqiptare. Ishte një dekadë që filloi me bojkot parlamentar nga PS-ja, me protesta të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore, që rezultoi me katër qytetarë të vrarë, me tradhti aleancash politike nga LSI, me bojkot parlamenti nga PD, me bojkot zgjedhjesh po nga PD, me kriminelë në Parlament, me mungesë të theksuar gjykatash në vend e me qindra mijë qytetarë që kanë braktisur vendin e tyre… Viti 2020 është viti kulmor i një çorientimi shoqëror të paprecedent, që ka sjellë regres në indikatorë të korrupsionit, të margjinalizimit të shumë qytetarëve e që shihet si viti i përplasjes finale politike… Është viti që kërkon refleksion se si arritëm deri këtu, ku pushteti politik qendror e lokal është në duar të vetëm një partie politike. E ku ka më mirë se refleksionin për gjendjen e sotshme ta bëjë vetë Edi Rama, 27-vjeçar.


Me kalimin e viteve në përfshirjen në debatin publik në Shqipëri, shpeshherë më ka rastisur të dëgjoj për librin “Refleksione”, me autorë Edi Ramën dhe Ardian Klosin. Pa hyrë në detaje të frymës së librit dhe çfarë qëllimesh ka pasur ai, më bëri përshtypje përshkrimi që Edi Rama, asokohe 27-vjeçar, i bënte situatës politike të vendit. Edi Rama atëherë e shihte politikën e kohës si unë e ti i nderuar lexues. Shihte probleme në mungesën e vizionit për reformat në vend, shihte një ekonomi të dekompozuar, shihte problem emigracionin, shihte problem mungesën e lirisë në media, shihte problem mentalitetin e gabuar të vendimmarrjes e për më tepër, mungesën e debatit në publik… Edi Rama atëherë na rikthehet dhe na analizon Edi Ramën sot. Në të bie në sy analiza perfekte se për të “ngrënë pak në regjimin socialist, duhet të gënjesh veten e për të ngrënë më shumë, duhet të gënjesh të tjerët”. Pavarësisht kësaj, Edi Rama thotë se “detyra e parë e artistit si i “përkëdheluri” i perëndisë është të mos e tradhtojë kurrë të vërtetën”. Dhe Edi Rama si artist atëherë ka thënë të vërtetën për gjendjen ekonomike e politike të kohës, të cilën ia rithotë po sot Edi Ramës 55-vjeçar, që ka pushtet të plotë në jetët tona…

Duke filluar me çështjen e reformave aq shumë të dëgjuar në 10 vitet e fundit, Edi Rama thotë se: “Partisë së punës i mungojnë njerëzit e ngritur nga poshtë-lart në sajë të diturisë dhe vizionit demokratik, mungon reformatori i tipit Gorbaçov, që është në gjendje të shohë të vërtetën dhe të kaluarën drejt e në sy”, faqe 51. Edi Rama tha jam reformator. Por a bëhen reforma me ish-drejtorë bashkish. Reforma është një angazhim i fortë politik, që synon ndryshimin e plotë të qeverisjes në funksion të një jete më të mirë për qytetarin. Ed reformatori në pushtet ka qenë një Ed që dinte të përçante shoqërinë për të mbajtur pushtet një herë në gjashtë muaj dhe i quante reforma. Sot Shqipëria është duke u përpëlitur, se reformat nuk mundet të bëhen me “ramista” anonimë jopolitikë e që publiku nuk i do e nuk i njeh. Në kulmin e krizës kulturore, Ministria e Kulturës nuk është më shumë se një “project manager” i dorës së dytë në Ministri. Njeri pa zë e me fytyrë të ëmbël femëror, por emri… emri s’më kujtohet. Është i rrethuar nga buratinë, siç është rasti i Ministrisë së Jashtme, që më shumë mbahet mend se sa i paaftë është për t’u kuptuar, sesa për moshën djaloshare të tij e nga zv.kryeministri, që karrierën e vet e ka bërë me sharje të shfrenuara nga gazeta “zuska plakë”, siç njihej atëherë “Zëri i Popullit” (këtë e mësova nga libri “Refleksione”. Edi Rama 55-vjeçar konsultohet nga “tigri i financave”, që mbahet mend për mendjelehtësinë me të cilën kalonte ligje në kurriz të sipërmarrjes vendëse e bujqësisë së lënguar në vend e për pushtetin e madh financiar që ka në xhep. Reforma në energji që ka çuar dëm në buxhetin e vendit në mbi 100 milionë euro e reforma territoriale, ku bashkia nuk arrin të çojë shërbime bazike në ish-komuna. Reforma antiinformalitet që ka sjellë mungesë në buxhet këtë vit mbi 140 milionë euro… Reforma që, ashtu siç thoshte Edi Rama 27-vjeçar, i mungon një Gorbaçov i ndritur…

Së dyti, me të drejtë ai thotë se pavarësisht emrave konkretë, një shoqëri ndryshohet nga mentaliteti që udhëheq. Ai shkruan se “U duhet treguar këtyre komunistëve se heqja dorë nga roli i udhëheqjes së partisë nuk bëhet në dekrete, por në mentalitet”. E këtu çalon Rama 55-vjeçar, sepse ai ka një pushtet të tijin që ndryshoi aleancë me LSI e ndryshoi emra ministrash, por në fund ka lënë një trashëgimi të fortë të rrënjosur në qeverisje : mentaliteti i plaçkitjes e mendjelehtësisë. Mentaliteti KÇK. Mentaliteti që pushteti politik duhet përkthyer në pushtet ekonomik. Mentaliteti që “pushteti i gjithi i socialistëve (lexo sovjetëve). Mentaliteti që opozita duhet sulmuar dhe me gaz e me shkopinj gome në protestë. Mentaliteti që lideri i di të gjitha e shoqëria duhet të dëgjojë e presë vendimet e tij. Mentaliteti i një etatizmi që çalon në gjithë përgjegjësitë e veta. Mentaliteti i pasurimit me drogë e me llaç e tulla të shoqërisë. Sot paranoja e këtij pushteti e mentaliteti ka bërë që hinka përfaqësuese e qeverisë të ngushtohet gjithnjë e më shumë, sa nuk po sheh që po mbyt veten…

Sepse sot ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama, ku të gjithë duhet të bërtasin për të aq sa anonimët e tij e quajnë Skendërbe … por si e lexon Edi Rama 27-vjeçar Edin e rritur… “O zot ç’tmerr, kur pas asaj fraze dëgjova halabakët e radhëve të para të thërrisnin në kor emrin tim. Ishte momenti i kthjellimit, i kthesës, i zbritjes në tokë. Ç’është kështu me këta njerëz që janë gati t’u nënshtrohen emrave të përveçëm? Të lumtur që po heqin qafe një emër, pajtohen skllevër të emrave të rinj”…. Edi, sot Partia Socialiste dhe e gjithë Shqipëria bërtasin vetëm një emër e ai je ti. Nuk di si e bën të ndihet Edin 27-vjeçar kjo gjë….

Por ajo që dimë është se Edi Rama i ri nuk ndihej mirë kur bashkëmoshatarët e tij linin Shqipërinë. Edi në librin e vitit 1991 pyet se ç’do të bëhet me Blendin (Gonxhen) dhe shokët e tij? E ajo pyetje vazhdon të mundojë Shqipërinë ku sipas OECD, çdo vit flukset mesatare të të larguarve kanë rezultuar në rreth 52 mijë njerëz dhe ky është numri më i lartë krahasuar me vendet e rajonit. Kur në një raport të Bankës Botërore thuhet se norma e të larguarve me arsim të lartë rezulton rreth 40%, ndër vlerat më të larta në rajon. Kur 84% e individëve që kanë zgjedhur të ikin, pavarësisht se këtu kanë pasur një punë, mendojnë se jashtë vendit do të gjejnë mundësi akoma më të mira punësimi, qoftë në pagesë, kushte, meritë dhe të tjera elemente. Kur sipas Eurostat, gjatë 10 viteve të fundit, 622 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e BE-së. Pyetja atëherë dhe sot qëndron e drejtë : Ç’do të bëhet me Blendin dhe shokët e tij? Por Edi Rama 55-vjeçar i kthehet Edi Ramës 27-vjeçar se e ka gabim me këtë pyetje, sepse ai thotë sot se : “Secili ka të drejtën që të shkojë e të jetojë ku të dojë. Kush e vajton emigracionin si e keqe që ka mbërthyer Shqipërinë, e ka gabim”

Po nga t’i dinë shqiptarët problemet e tyre e të largohen nga mentaliteti i propagandës së regjimit Fugë. Regjimi i ri i informacionit përshkruhet më së miri në faqen 191 të librit Rama: “Kujdesi më i madh i këtij sistemi ishte ruajta e pushtetit të Enver Hoxhës dhe shoqërisë së tij, mbajtja e popullit në padije, në gënjeshtër dhe në sundim të lehtë, duke ngritur propagandën mbi informacionin. Shqiptari duhet të thithte sa më shumë propagandë partiake e sa më pak informacion real, që t’u shtronte atyre presion dhe t’u transmetonte atyre vizionin e saj të gënjeshtërt për Shqipërinë e botën…: “Në shtyp mbizotëron loja me emocionet e njerëzve se ato errësojnë arsyen njerëzore… Sot, sipas raportit të “Raporter pa Kufij”, sulmet në media si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar, arritën në një nivel të paprecedent në 2018. Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit. “Politikanët, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme”. Po ashtu, të mos harrojmë ligjin antishpifje, që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe të kufizojë aksesin te lajmet dhe informimi.

E si mos të dëshpërohej Edi Rama 27-vjeçar për ekonominë e vendit. Sipas tij, “ekonomia model në dekompozimin e saj detyroi Sekretarin e Parë të distancohet nga shtabi i tij i paaftë dhe të dëgjojë disa nga kërkesat këmbëngulëse nga poshtë”. Por a dëgjon sot Edi Rama 55-vjeçar kërkesat e biznesit nga poshtë, kur Banka Botërore thotë se për vitin që lamë pas ekonomia do të rritet dy herë më ngadalë nga parashikimi optimist i qeverisë, nga 4.3% në 2.9%. Po a i dëgjon kërkesat këmbëngulëse të qytetarëve, kur sipas KLSH-së, borxhet e prapambetura të shtetit, përfshirë edhe detyrimet e pashlyera të bashkive, arritën shifrën e 42 miliardë lekëve ose rreth 340 milionë euro. A dëgjohet biznesi kur thotë që është gabim dhënia me koncesion e projekteve me vlerë rreth 2 miliardë euro, që duhet të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme, për projekte koncesionare të rrugëve, shëndetësisë, inceneratorërëve, skanimit në dogana dhe infrastrukturës shkollore në kryeqytet. Po a e dëgjon Edi Rama 55-vjeçar Edi Ramën 27-vjeçar?

Këtë nuk e dimë, por siç thuhet në libër, “po e mbyll duke thënë se sot është koha e konfrontimit të hapur të ideve”. E këtu, Edi dhe gjithë qytetarët bien dakord. Gëzuar 2020! /Nga Besart KADIA/