Sot, Albin Kurti, fitues i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Kosovë, ka refuzuar të marrë mandatin për formimin e qeverisë nga Presidenti Hashim Thaçi. Nga Vetëvendosje! u njoftua se ftesa arriti në orën 11.00 për takimin në orën 13.30 dhe kryetari Kurti nuk mundet të jetë sepse është jashtë Prishtinës. Madje, VV-ja bën me dije se do të njoftojë presidentin Thaçi se kur do të ketë mundësi Kurti të paraqitet për të marrë mandatin nga kreu i shtetit.
Në fakt, nuk ka asgjë për tu habitur teksa pak orë më parë, VV-ja dhe Kurti, edhe me votat e LDK-së vendosën në krye të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufcen, eksponent i rëndësishëm i partisë së drejtuar nga kryeministri i mundshëm.
Në pamje të parë, është minim i një marrëveshje të pritshme VV- LDK, kur ishte paralajmëruar se kryeministër i qeverisë së këtij koalicioni, do të jetë Albin Kurti po nga Vetëvendosje! Dy postet kryesore, më të rëndësishme shtetërore, shkojnë kështu për VV- në e Kurtin. A do ta pranojë këtë mënyrë bashkëqeverisje LDK-ja, teksa kryetari Isa Mustafa ka aluduar me ironi se “mbase VV-ja ka vendosur t’ia japë LDK-së pozitën e kryeministrit”.
Por VV-ja e Kurti kanë shkuar edhe më përtej. Nuk kanë asnjë marrëveshje deri tani, për postin e Presidentit të Kosovës, në momentin kur të përfundojë mandati i Hashim Thaçit. Pra, tre postet kryesore të Republkikës, VV-ja po tenton ti marrë për vete. Çfarë mbetet që të marrë aleati në pritje LDK?!
Kjo mënyrë të sjelluri të Albin Kurtit, më së paku është në kufijtë e arrogancës por mund të shkojë deri në papërgjegjshmëri institucionale ose mungesë eksperience në administrim pushteti “që të zë derën”. Deri këtu, lëvizjet e Kurtit, ato publike, mund të konsiderohen të pakuptimta. Kërkon një aleat, bisedon me të dhe në momentin e fundit, nuk i lë asnjë post të rëndësishëm shtetëror në administrim.
Por lëvizjet e Kurtit marrin kuptim në një linjë tjetër, më të padukshme. Sipas gjasave, qeveria do ta ketë shumë të vështirë të ngrihet. Edhe nëse ngrihet në këmbë, nuk do ta ketë jetën e gjatë. Me shumë mundësi, LDK-ja mund ti japë mbështetje nga jashtë VV-së, edhe pa poste qeveritare. Synimi është i thjeshtë: Të mundësojë ecjen drejt fundit të shpejtë të qeverisë së VV-së me Kurtin kryeministër. Alternativa ekstreme do të ishte tërheqja e LDK-së nga koalicioni dhe moralisht, zgjedhjet e parakohëshme në vend. Siç ka ndodhur në të shkaurën, nuk përjashtohet edhe një aleancë “e çuditshme” e LDK-së si forcë e dytë, në momentin kur VV-ja dështon në ngritjen e qeverisë me kryeministër Kurtin. Në të gjitha këto skema të mundshme, VV-ja ka përllogaritur rë përfitojë duke marrë poste të rëndësishme shtetërore, të realizojë përmes tyre PR dhe të jetë e gatshme për të qeverisur e vetme apo për të hyrë në zgjedhje të parakohëshme. Kjo periudhë me kryetar Kuvendi dhe kryeministër të emëruar apo të votuar në Kuvend qoftë edhe përkohësisht, vetëm përfitime i sjell VV- së dhe Kurtit.
Ajo që është e qartë, edhe pse nuk thuhet me zë të lartë, Albin Kurti dhe VV-ja nuk kanë bindur akoma ndërkombëtarët për “ti besuar” qeverisjen e Kosovës. Sigurisht, ata nuk dalin asnjëherë publikisht, por luajnë përmes linjave të padukshme. Kurti këtë e di mirë dhe mesa duket ka zgjedhur “këndërpërgjigjen”. Ëndërron që në zgjedhje të parakohëshme apo të zakonshme, kosovarët ti besojnë “timonin” i vetëm. Shembullin, nuk e ka shumë larg… /Nga Blerti DELIJA/