Një nga dhjetra apo qindra arsyet që opozita ndërmori vendimin e paprecedent për dorëzimin e mandateve në bllok, ishte edhe mungesa e hapësirës për të folur brenda katër mureve të parlamentit. Edhe pse emërtimi i këtij institucioni e ka rrënjën tek fjala, e folura, jo rradhë herë kjo i është mohuar. Natyrisht, në disa raste, në emër të së drejtës së fjalës opozita ka kërkuar edhe ndryshimin e rendit të ditës së Kuvendit, por në thelb ka qenë thuajse gjithmonë ankesa për mungesën e hapësirës për të folur.
Prej më shumë se një muaji, opozita nuk e ka më këtë foltore për të komunikuar me qytetarët. Flas për atë hapësirë që ka patur brenda parlamentit. Komunikimi i vetëm mund të realizohet përmes takimeve e tubimeve, atyre pak mediave që guxojnë të japin hapësirë përtej “lajmit” apo “audiencës” dhe…përmes rrjeteve sociale, fatmirësisht deri tani mediume pa pagesë.
Sot, as më pak e as më shumë por Policia e Shtetit- institucion i anatemuar si i kapur politikisht nga opozita, ka paralajmëruar Sali Berishën për publikimet e tij në Facebook-un personal. Sa herë ta gjykojë të arsyeshme Policia e Shtetit, Sali Berisha do të kallëzohet në gjykatë. E për çfarë? Për informacionet e tij apo edhe të “qytetarëve dixhital” që ai publikon herë pas here. Shumica e tyre janë denoncime. Tek një ish- kryeministër i djathtë, vijnë denoncime për qeverisjen e majtë. Ose të paktën, ato zgjedh të publikojë Berisha dhe është në të drejtën e tij.
Policia e Shtetit është e shqetësuar dhe thotë se “Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese.
E gjendur nën trysninë e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.
Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.
Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha.
Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit.”.
Policia e Shtetit e përmend si “qytetari” Sali Berisha. Pra nga sot, çdo qytetar që do të guxojë të akuzojë publikisht do të kallëzohet penalisht. Edhe nëse mendon se të është bërë një e padrejtë qoftë nga policia, hipoteka, bashkia, spitali dhe akuzon me ose pa emra, rrezikon të përfundosh i kallëzuar në gjykatë. Kjo është më shumë se e rrezikshme sepse synon të na mbyllë gojën të gjithëve.
Por është edhe paradoksale. Qeveria aktuale ka shpenzuar miliona euro për një portal ku qytetarët të denoncojnë me emra për padrejtësitë që iu bëhen. Në asnjë rast, askush nuk i ka kërkuar të sjellin prova. Sepse janë struktura të tjera që bëjnë verifikimet e nevojshme. Po kjo qeveri, miratoi edhe ligjin e “bilbil- fryrësve”, atyre që spiunojnë brenda administratës dhe jo vetëm për raste mit-marrje, abuzimi, korrupsioni, nepotizmi etj.
Po atëherë, ç’ ne ky reagim i Policisë së Shtetit ndaj “qytetarit” Berisha? Përkundrazi, ajo duhet ta falenderojë sepse po bën një punë që qeveria ka vite që kërkon të bindë shqiptarët ta bëjnë. Apo mos është problem se ndryshe nga platforma e denoncimeve qeveritare, Berisha i publikon të gjitha në Facebook? Është çështje privatësie? Edhe për këtë ka një ligj ose më shumë. Çdokush që ndjehet i cënuar nga publikimet e “qytetarit” Berisha, me uniformë policie ose jo, mund ti drejtohet individualisht gjykatës për kallëzim.
Policia e Shtetit mbase do të duhej të bënte një statistikë se sa nga denoncimet e Berishë në Facebook kanë rezultuar të vërteta dhe sa prej tyre kanë ndihmuar atë dhe qytetarët të zbulimin e të vërtetës dhe vënien e drejtësisë në vend. Filloni e kujtohuni nga “mushkonjat” e deri tek rastet e fundit në Kavajë e gjetkë.
Mesa duket “lepuri fle diku tjetër”. Berisha dhe opozita sot janë pa imunitet pas të cilit mund të fshihen. Policia por edhe organet e tjera ligjzbatuese mund ti shoqërojnë, ndalojnë apo arrestojnë pa problem. Por fillimisht, duhen nisur “paralajmërime”. “Lobimi rus” u aktivizua me shpejtësi dhe Basha e drejtues të tjerë të PD-së u thirrën në prokurori. Sot ishte rradha e Berishës, por jo në prokurori por duke i kërkuar të mbyllë gojën, më falni, Facebook-un. Të jetë presion? Apo paralajmërim për të gjithë ata që guxojnë të flasin me zë të lartë e me emra kundër qeverisë? Rikthim tek idetë e Majlinda Bregut për rrjetet sociale apo paralajmërim për portalet “rebele”?
Ata që e njohin Berishën, e dinë mirë se ai nuk ndalet. Dhe në fakt nuk po ndalet. Shikoni faqen e tij zyrtare në Facebook… Në Shkodër ka një shprehje, “i bjen penxheres që të dëgjojë dera”. /Nga Sokol N. SOKOLI/