Disa dekada më parë, Walker Percy, një autor amerikan mjaft i njohur, shprehej se gjithnjë e më shumë njerëz do të ndihen të lodhur nga një gjendje apo nga diçka dhe kjo mund të bëjë që vendi tyre dhe ata vetë të rrëzohen nga brenda, të bëhen cinikë dhe të tërhiqen. Mund të ndodhë që e keqja të fitojë jo prej faktit se ajo është më e fortë, por prej kësaj lodhjeje, këtij cinizmi dhe lakmisë që gjithnjë ka një rol në ngjizjen e kësaj gjendjeje. Percy ishte duke folur më së shumti për Amerikën dhe amerikanët në kohën e përballjes së rrezikut komunist.
Ai e shihte zgjidhjen te të qëndruarit aktivë, te shmangia nga cinizmi, te të mbështeturit te morali dhe te dija. Pak a shumë, kjo është sot gjithë gjendja në Shqipëri. Pak a shumë, kjo është edhe sfida e sotme e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike. Siç dihet, që prej shkurtit Partia Demokratike dorëzoi mandatet parlamentare dhe nisi protestat kundër qeverisë.
Ajo nuk mori pjesë në zgjedhjet e organizuara nga qeveria. Aktualisht, Partia Demokratike është thjesht përballë qeverisë dhe pushtetit në kuptimin më të plotë. Pa u zgjatur shumë në analiza mbi qeverinë, për opozitën dhe për shumëkënd qeveria shqiptare e ka kthyer vendin në një regjim autoritarit, ku çdo institucion është i personifikuar me Kryeministrin dhe ku ndryshe nga regjimet e zakonshme autoritariste të shumë vendeve të botës, ky i yni është bashkuar, ka thirrur në ndihmë apo është vënë në shërbim të njerëzve të lidhur me botën e krimit, të trafikut dhe të drogës. Regjimi ka ngritur një mekanizëm që ka marrë nën kontroll jo vetëm institucionet politike dhe shtetërore, por edhe ekonominë kombëtare (koncesionet), mediat, universitetet etj..
Studiuesit këtë formë të kontrollit të jetës së vendit e quajnë sot neopatrimonializëm. Christopher Clapham, nga London School of Economics, thotë se ai është një formë organizmi ku marrëdhëniet patrimoniale dhe klienteliste depërtojnë të gjithë shtetin dhe administratën, në të gjithë sektorët ekonomikë dhe joekonomikë të vendit dhe ku pushteti i çdo zyre përdoret në funksion të ndërtimit të një kontrolli vertikal nga zyrtari më i lartë, te fshatari më i humbur.
Në këtë formë organizimi të grupeve me akses te krimi apo dhuna kanë rol të fuqishëm dhe janë pjesë e qeverisjes. Në këtë formë organizimi, zgjedhjet bëhen vetëm për të legjitimuar pushtetin dhe kurrë për të prodhuar rrotacion. Partia Demokratike e ka denoncuar përpjekjen për marrjen në kontroll të të gjithë jetës së vendit dhe për përfshirjen e krimit në politikë që në ditët e para të ardhjes së PS-së në pushtet. Janë të njohura denoncimet për trafikun me avionë të drogës apo për koncesionet problematike, për mbjelljen e vendit me hashash apo për përfshirjen e njerëzve të botës së krimit dhe trafikut në Parlament, në bashki etj..
Pavarësisht këtyre denoncimeve, qeveria ka vijuar me forcë instalimin e këtij neopatrimonializmi. Rrugës qeveria ka humbur njerëz, ka humbur kredibilitet, por ka vazhduar me instalimin e neopatrimonializmit, i cili sot është në një fazë të avancuar. Opozita, ndoshta duke e njohur më mirë sesa një pjesë e shoqërisë atë që përfaqëson qeveria, e futi veprimin e saj në një fazë tjetër dhe një filozofi tjetër. Ajo doli nga sistemi duke lënë mandatet dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhje.
Opozita e dinte, në fakt duket ashiqare, se mekanizmat që shoqëria të shohë të vërtetën, si mediat dhe shoqëria civile, universitetet deri edhe institucionet e besimit, janë në një masë mjaft të madhe të korruptuar apo nën presion nga qeveria dhe kjo e bën edhe më të domosdoshme daljen përballë. Ka shumë njerëz që mendojnë se ky veprim i opozitës është i gabuar, se ajo duhet të luftojë brenda sistemit, se ajo nuk duhet të digjte mandatet dhe se duhet të merrte pjesë në zgjedhje.
Ka shumë njerëz që mendojnë se kryetari i PD-së, Basha, bëri gabim që shkoi drejt kësaj rruge. Ka në këtë grup njerëzish pa dyshim prej atyre që i besojnë rrugës “normale” politike, që janë të sinqertë në këtë mendim dhe që vërtet i shqetëson kjo gjendje e opozitës. Ka në këtë grup gjithashtu mjaft njerëz që janë cinikë, që janë të “lodhur”, që shprehen se do të tërhiqen (jo nga politika, as nga PD-ja, por do të jenë jo më mbrojtës aktivë dhe entuziastë të luftë së PD-së).
Në këtë grup njerëzish, edhe cinizmi, edhe “lodhja”, edhe “tërheqja” janë që të gjitha të lidhura me lakminë. Siç thoshte Walker Percy, në qoftë se nuk do të ishte lakmia, nuk do të kishim as cinizëm dhe as “lodhje”. Një pjesë e këtyre njerëzve kanë pritur që opozita të fitojë pushtetin shpejt dhe të jenë diku si pasojë e këtij pushteti. Një pjesë tjetër janë cinikë dhe “të lodhur” sepse duan që PD-ja dhe Basha të rrëzohen dhe mbi të të ndërtohet një PD e re, me një kryetar të ri, në mënyrë që lakmia e tyre të ushqehet.
Ka mes cinikëve dhe të “lodhurve” nga PD-ja dhe Basha mjaft socialistë dhe mbështetës të Ramës. Në fakt, tani pas rreth tetë muajsh opozitë jashtë sistemit dhe përballë qeverisë mund të bëhet një analizë mbi çfarë solli dhe nëse ishte rruga e duhur ajo në të cilën Basha e futi PD-në dhe a do të ishte më mirë të kishte ecur në rrugën “normale”. Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se rruga e nisur në shkurt është ndoshta e vetmja.
Raporti i ODIHR-it për të thënë të vërtetën është një raport burokratësh, që kurrë nuk i thonë gjërat siç janë, megjithatë, çfarëdolloj gjuhe që të përdorte ai, nuk mund të mos i thoshte disa nga gjërat bazë. Raporti thotë se zgjedhjet nuk morën parasysh interesin e njerëzve. Raporti thotë se gjyqtarët morën vendim nën presionin e vetingut. Raporti thotë se në zgjedhje nuk pati konkurrencë dhe ato u zhvilluan nga komisionerë të qeverisë, se pati presion të hapur mbi njerëzit dhe mbi administratën.
Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se legjitimiteti i zgjedhjeve është plotësisht i shkatërruar dhe për pasojë, legjitimiteti i qeverisë që i mbajti ato është plotësisht i shkatërruar. Në terma të tjera konfirmon faktin që në Shqipëri drejton një regjim autokratik dhe neopatrimonialist. Rruga në të cilën hyri PD-ja në shkurt të këtij viti, në thelb përbën një dallim konceptual nga rruga e deriatëhershme. Në qoftë se deri në atë moment PD-ja mendonte të përballej me qeverinë në Parlament dhe në zgjedhje duke dashur ta dobësojë atë fizikisht deri sa ta mundte, pas shkurtit PD-ja zgjodhi ta shkatërrojë atë nga pikëpamja e legjitimitetit moral.
Kur themi dobësim fizik, kemi parasysh që shumica qeverisëse e Ramës të humbte deputetë dhe bashki dhe të kishte më pak institucione në kontroll. Partia Demokratike dhe kryetari i saj Basha duket se kuptuan që natyra e një regjimi autoritarit, që është në një përzierje ku nuk dihet kufiri me krimin dhe që ka ndërtuar një formë organizimi neopatrimonialiste në ekonomi dhe tërë jetën publike, nuk varet fare nga sa deputetë ka partia e tij, nga sa kryetarë bashkie ka, nga sa institucione ka ai nën kontroll. Regjime të tilla nuk humbin asgjë nga humbja e disa deputetëve apo nga humbja e disa bashkive. Kundërshtari (në këtë rast PD-ja), duke marrë disa deputetë apo disa bashki, nuk bëhet më i fortë, por më i dobët.
Kundërshtari thjesht ka qenë në garë për vendin e dytë dhe e legjitimon regjimin. Kjo është e vërteta e madhe dhe e dhimbshme. Në qoftë se PD-ja do mbante mandatet, do bënte debat parlamentar dhe do hynte në zgjedhje regjimi me formën e tij neopatrimonialiste të kontrollit të jetës së vendit nga zyrtari më i lartë te fshatari më i largët; do t’i fitonte zgjedhjet në masën që donte.
PD-ja do të kishte disa bashki, ndoshta edhe më shumë sesa kishte para 30 qershorit, por vendi do të drejtohej përsëri nga e njëjta filozofi dhe nga i njëjti regjim. Politikat e qeverisë dhe jeta e njerëzve do të vijonin në të njëjtën hulli. Regjimi do të ndihej i legjitimuar më shumë. Sigurisht që sot, Rama duke pasur nën drejtim 61 bashki ka më shumë pushtet nga pikëpamja fizike, por ai ka shumë më pak pushtet moralisht dhe politikisht.
Raporti i ODIHR-it thotë që zgjedhjet nuk morën parasysh interesin e njerëzve dhe që gjyqtarët votuan nën presion. Raporti e dobëson legjitimitetin moral dhe politik të qeverisë. Tërë veprimi i opozitës nga shkurti e bën legjitimitetin moral dhe politik të qeverisë pllanga-pllanga. Për të përdorur një metaforë të folklorit shqiptar (të përdorur dikur nga prof. Artan Fuga për të shpjeguar një fenomen tjetër) regjimi autoritarist i Kryeministrit që kontrollon të gjitha pushtetet dhe gjithë jetën ekonomike të vendit dhe që ka ndërtuar mekanizmin neopatrimonialsit të kontrollit vertikal nga lart poshtë, i ngjan një kuçedre me shumë koka.
Kuçedra ka bllokuar ujin dhe në fshat ka thatësirë, ka etje, ka uri, shfaqen sëmundje, epidemi etj.. T’i presësh një kokë kuçedrës nuk sjell asnjë rezultat. T’i presësh dy koka nuk sjell asnjë rezultat. Ajo është po aq e fortë sa më parë. Kuçedra e merr fuqinë nga një gjarpër që rri në një shpellë. Duhet vrarë gjarpri dhe atëherë mundet kuçedra. Edhe regjimi i Kryeministrit Rama do të mundet në radhë të parë moralisht dhe politikisht. Atij i duhet shkatërruar legjitimiteti dhe duhet të ekspozohet degradimi moral i kësaj qeverie duke qëndruar përballë saj, duke mos pranuar kurrë zgjedhje me njerëz që vijnë nga trafiku dhe droga dhe duke i denoncuar ata kudo dhe përditë. Në këtë kuptim, ajo që po bën PD-ja është rruga e duhur dhe e vetme.
Rruga e PD-së mund të dështojë vetëm në qoftë se njerëzit dhe shqiptarët e braktisin atë dhe tërë mbështetësit e saj dhe elektorati i PD-së shkon te një opozitë tjetër. Në qoftë se, siç investon dhe shpreson Rama (duke e humbur edhe më legjitimitetin moral dhe politik me këto akte), Rudina Hajdari apo Myslim Murrizi bëhen drejtues të një grupimi politik, i cili gjithë votuesit dhe mbështetësit e PD-së i merr pas vetes, atëherë rruga e Bashës dhe e PD-së do të dështojë. Në qoftë se në zgjedhjet në 30 qershor do dilte gjithë votuesi i PDsë dhe i Bashës, në qoftë se në zgjedhje do të kishim pjesëmarrje 50% dhe votuesi i PD-së do të kishte braktisur Bashën, atëherë kjo do të ishte rruga e gabuar.
Në zgjedhje dolën më pak se 15%. Pra, njerëzit, legjitimiteti ishin me opozitën. Rama do të jepte gjithçka, do t’i jepte të gjitha bashkitë dhe shumë gjëra të tjera vetëm për të pasur legjitimitet. PD, mbështetësit e opozitës dhe gjithë shqiptarët, siç thoshte Walker Percy, duhet të rrinë larg cinizmit, duhet të mos ndihen “të lodhur” dhe sigurisht, duhet të ndikohen më pak nga lakmia. PD-ja dhe njerëzit e saj, gjithë opozita duhet të jenë aktivë dhe duhet të mbështeten te dija dhe te morali. Kjo mund të jetë një rrugë e vështirë, por është e vetmja. Nuk humbin kurrë rrugë të tilla. /Nga Fitim ZEKTHI/