Brenda pak orëve, ka disa zhvillime që mund të ndërlidhen me njëri- tjetrin. Lulzim Basha njoftoi dje se protestat e opozitës do të zhvillohen, por duke nisur nga mesi i tetorit. Mazhoranca u shpreh e hapur për bisedime me opozitën por “reforma në drejtësi nuk preket”. LSI kërkon që të jetë palë në një tryezë të mundshme të mazhorancës me opozitën. Të gjitha këto, janë një emërues të përbashkët: Një tryezë të re Rama- Basha që sipas gjasave është më pranë nga sa ne mendojmë…
Ishte e qartë se komunikimi në mes palëve, në nivele “emisarësh” nuk do të ndërpritej. Sepse nuk është ndërprerë as para 30 qershorit dhe nuk u ndal as në muajt e nxehtë të gushtit. Opozita premtoi nisje të protestave menjëherë në shtator. Mesa duket, është gjetur një konsensusi brendshëm që ato të shtyhen përkohësisht. Përpara është një takim i rëndësishëm për vendin, Ramën por edhe Bashën: Vendimi për çeljen ose jo të negociatave me BE.
Java që vjen do të shohë Ramën e Bashën jashtë vendit. Kryesisht me partnerët gjermanë. Basha në kuadër të takimit të Partive Popullore e Rama në Bundestag për të bindur CDU/CSU për mbështetjen e çeljes së negociatave. Deri atëherë, vendi ka nevojë të paktën për një qetësi “në dukje”, pa tubime masive, qoftë larg zjarr e tym në dyert e Kuvendit ose Kryeministrisë. Basha nuk e ka thënë direkt, por mesi i tetorit për protestat ka vetë këtë shpjegim.
Edi Rama është përpjekjet e fundit për të marrë çeljen e negociatave. Duket sipërmarrje e vështirë, por po përpiqet me të gjitha mënyrat. Në një farë mase, është në lojë edhe fati i tij. Sipas një “marrëveshje paraprake”, nëse nuk hapen negociatat, Rama duhet të hapë krahun dhe të negociojë me Bashë vetëm nga pozitat e kryetarit të PS-së, duke i dhënë jetë një qeverie tranzitore deri në pranverën e ardhshme. Nëse merret çelja e negociatave, me shumë gjasa Rama do të ulet si kryeministër në tryezë me Bashën. Kjo përflitet se është marrëveshja paraprake.
Beteja e deklaratave, akuzave dhe kundërakuzave do të vazhdojë. Sipas gjasave, deri në mes tetor do të kërkohet me ngulm, me ndërmjetësimin edhe të ndërkombëtarëve, një marrëveshje. CDU/CSU mund të kushtëzojnë votën pro negociatave me kushtin paraprak të uljes në një tryezë Rama- Basha. Motivi i vlefshëm dhe gjithmonë i pranishëm e i përdorshëm është “për interesa madhore të vendit e shqiptarëve”. Nëse do të negociohet për zgjedhje të parakohëshme politike, konfigurimi i pushtetit vendor ngelet ai që është. Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon “30 qershorin”. Të dy palët kanë rënë dakort të presin vendimin e këtij institucioni. /ShkodraWeb/