Kryeministri është këto orë në shkumëzim të plotë. Ka plotësisht të drejtë ay, shahisti, që mburrej deri dje: “se ishte tri lëvizje para!” kundrejt të gjithëve. Por ja, tabela e tij e shahut dhe gurët e zinj apo të bardhë që përdorte, në një betejë, sipas tij, të fituar, fluturoi e gjitha dhe gurët fluturuan bashkë me të…
Deri dje qahej e përbetohej se ishte gati të bënte gjithçka, madje të shkelte mbi veten e tij, por datën 30 qershor të dekretuar nga Ilir Meta, ay, Km-ja nuk mund ta lëvizte vendit, sepse ishte një gur i rëndë kushtetues që kishte vendosur Presidenti.
Nuk kanë të numëruar qarjet dhe ankimet e tij për këtë dekret presidencial dhe për këtë takim zgjedhor, që mban datën 30 qershor 2019. Duke u mbushur mendjen shqiptarëve, opozitarë ose jo, se “detyrimet shtetërore” që lidhen me këtë datë ishin më të forta se ai vetë, më të forta se vullneti i tij personal në emër të paqes dhe zgjidhjes…
Dhe se dashnija e tij shqiptardashëse dhe, gjoja, shtetdashëse, e bënë të vuante në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të asaj date.
Që kjo ishte një tullumbace dhe vetëm një tullumbace propagandistike dhe krejt e rrejshme, shumica prej nesh nuk kishte asnjë dyshim. Që 30 qershorin e “Metës”, ay, Kmja e kishte thjesht një alibi, ishte e qartë, por jo në dritën e diellit si tani, për shumicën e njerëzve.
Që ishte ky 30 qershori një pengesë, e shndërruar artificialisht në një pengesë të pakapërcyeshme, për të rrëmbyer zgjedhjet pa kandidatë kundërshtarë, pasi krijoi bindjen se opozita nuk do të hynte në zgjedhje dhe se kukullat e porositura prej tij do të merrnin pjesë në zgjedhjet paçavure që ay dëshironte, e ay do t’i shiste si “Palë”, kjo pra, ishte e qartë për të gjithë ne.
Por sidoqoftë, na brente dyshimi i arsyeshëm, që në një cep të trurit të tij, të Km-së pra, do të kishte një oaz të paqmë, që nuk do të refuzonte një formulë zgjidhjeje, pa tym e flakë, pa përplasje dhe pa gjakderdhje, shkurt një “fitim kohe”, derisa temperaturat e konfliktit të uleshin ndjeshëm…
Dyshim i kotë dhe ky dhe kjo u pa qartë në përplasjen e shmangur të 8 qershorit, ku ishte përgatitur një kurth për protestuesit e opozitës, duke larguar gardhin mbrojtës përpara Kuvendit, me qëllim “konsumimin e mëkatit” dhe përplasjen shembullore që ishte përgatitur të bënte korpusi special i Policisë, maskuar me skafandra antigaz…
Por edhe kjo, fatmirësisht, u shmang! Ay, Km-ja, dëgjon sot disa mendje të shkalafitura nga frustracionet e shumëllojshme që e nxisin për një “luftë totale”, deri në shkarkimin e Presidentit Meta dhe në bërjen tym e flakë të situatës çdo ditë e më shumë.
Sepse mendja e tij gjykon se të gjithë ata që flasin për zgjidhje paqësore, ia kanë me të hedhur dhe ia kanë me hile, ashtu si ay, Km-ja, ua ka pasur me hilera dhe të hedhura të gjithëve, në tërë historinë e tij politike.
Frika e botimeve të reja te “Bild” e bën të shpejtojë, dhe “përbetimi” i gazetarit Peter Tiede, fyer dhe sulmuar si askush, sigurisht, e bën të ndihet fare keq Km-në.
Artikujt e tij, thjesht, po presin radhën e botimit dhe si një mallkim për Km-në, janë të zeza sterrë, në cilësimin mafioz që i bëjnë qeverisjes së deritashme, të këtij individi aventurier, që mashtroi ose joshi, deri para pak kohe, shumicën e klasës politike shqiptare…
Porse “Gjermania s’ka mbyllur ende llogarinë” me Km-në, mbështetja që erdhi nga Johann David Wadephul për dekretin e Metës, është vetëm “mbështetje” për forcat e Paqes në Shqipëri dhe një goditje e madhe për biznesin e luftës politike, në këtë vend, edhe të bekuar edhe të mallkuar njëkohësisht… /Nga Artur ZHEJI, 360 grade/