“Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.”. Është ky përcaktimi më i lartë kushtetues mbi mënyrën se si “flet” presidenti i Republikës. Neni 93 i Kushtetutës e përcakton qartë dhe me vetëm një fjali.
Në mungesë të një ligji organik për Institucionin e Presidentit të Republikës, interpretimet janë të pakta. Nuk duhet të jesh jurist të kuptosh se si çdo institucion tjetër kushtetues, edhe Presidenti i Republikës ka të drejtë të ndryshojë vendimin e tij, i cili prodhohet në formën e një dekreti.
Për ta saktësuar, Presidenti emëron me dekret kryeministrin dhe ministrat. Me të njëjtën rrugë, por me dekret, ai i shkarkon. Kështu, për të gjitha institucionet që ligji Kushtetuta dhe ligji i ka dhënë kompetencë kreut të shtetit. Natyrisht, në pjesën dërrmuese rë ushtrimit të kompetencave kushtetuese me dekret, Presidenti i Republikës është në rolin e kontrolluesit dhe noterizuesit të institucionit që i dërgon propozimin.
Edhe në rastin e caktimit të datës së zgjedhjeve, është e njëjta procedurë. Mirëpo, Kushtetuta i ka dhënë ekskluzivitet Presidentit të Republikës. Ai është totalisht sovran në caktimin e datës së zgjedhjeve, natyrisht në periudha të caktuara që i lejon Kodi Zgjedhor. “Cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”, thuhet në pikën gj) të Nenit 92 të Kushtetutës.
Nga kush duhet të presë sugjerime, këshilla apo orientime kreu i shtetit për ndryshimin apo edhe anulimin e datës së Zgjedhjeve?! Natyrisht nga askush sepse këtë të drejtë ia ka dhënë dokumenti themeltar juridik i shtetit, Kushtetuta.
Çfarë duhet të ndodhë nëse Presidenti i Republikës anulon apo shtyn zgjedhjet? Këtë akt, e ndërmerr totalisht në ushtrim të kompetencave të tij sipas Kushtetutës dhe përmes dekretit.
Çfarë mbetet të bëjnë institucionet e tjera, si për shembull Komisioni Qendror i Zgjedhjeve? Duke lexuar Kodin Zgjedhor, Nenet 21, 21/1 dhe 21/2, edhe pa qenë jurist kupton se KQZ nuk ka asnjë kompetencë të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve.
“Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, Presidenti zbaton rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij Kodi.”, është përcaktimi i shkurtër dhe pa mundësi interpretimi që përcaktohet në Nenin 10, të Kodit Zgjedhor. Ndërsa pikat 1 dhe 2 të Nenit 9 të këtij Kodi, janë thellësisht teknike: “1. Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në rast se mandati i Kuvendit përfundon më herët se 30 ditë nga fillimi i periudhës zgjedhore, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore pararendëse. Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij.
2.Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date.”.
Pra, Kushtetuta por edhe Kodi Zgjedhor i kanë dhënë të drejtën ekskluzive Presidentit të Republikës të shpallë përmes një dekreti, datën e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, kundërshtarët e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, me të drejtë mund të thonë se Kushtetuta, nuk parashikon “çdekretimin” si proces. Por në fakt, Kushtetuta e ka thënë qartë se kreu i shtetit flet me dekrete. Pra, një dekret i mëparshëm i kreut të shtetit, anulohet me me një dekret nga i i njëjti institucion, Presidenti i Republikës.
Po ashtu, Kushtetuta nuk e ka të shprehur në asnjë nen se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të anulojë një dekret, qoftë ai edhe për zgjedhjet. Në të njëjtën linjë, është edhe Kodi Zgjedhor. Harresë apo pasaktësi e “ligjvënësit”? Mbase, por sot gjykohet mbi faktin, atë kuadër ligjor që kemi në fuqi.
Juristët e dinë se ka një parim universal në jurispridencë: “Ajo që nuk ndalohet me ligj, lejohet”. Deri sa në asnjë nen, të Kushtetutës dhe asnjë ligji, nuk shprehet se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të anulojë datën e zgjedhjeve apo edhe një dekret të çfarëdo lloji, atëherë lejohet.
Në këtë frymë, në momentin kur kreu i shtetit ka nxjerrë një dekret për anulimin e satës së zgjedhjeve, dekreti paraardhës bëhet “nul”, nuk ka asnjë efekt juridik dhe institucionet që e përdorin si “udhërrëfyes”, në këtë rast KQZ, duhet të stopojë automatikisht punën.
Arsyet që e kanë shtyrë Presidentin e Republikës në vendimmarrjen e tij me anë të dekretit, shfrytëzimi i postit apo anësia politike, mungesa e konsultimit me faktorët politikë në vend para vendimmarrjes apo edhe shkelja e dyshuar e Kushtetutës, a duhet shkarkuar apo jo, janë temë tjetër. Këtu hyjmë në kompetencat e një tjetër institucioni, të cilin Kushtetuta e ka cilësuar si “gardian” dhe kontrollues i kushtetutshmërisë së vendimmarrjeve të institucioneve. Gjykata Kushtetuese, por që sot nuk është- vakumi i lënë nga monsfunksionimi i saj, kanë futur vendin në një kolaps institucional. /Nga Blerti DELIJA/