Në rradhët e Partisë Socialiste janë jo të paktë ata që i urojnë fundin politik Edi Ramës. Në këto 6 vite pushtet, kryeministri “me dorë të fortë” dhe që udhëhiqet politikisht duke u konsultuar vetëm me këshilltarët dhe 2-3 bashkëpunëtorë në Kryeministri, ka krijuar mjaft armiq në rradhët e partisë së trashëgoi nga Fatos Nano në 2005-ën. Ish- deputetë, ish- ministra por edhe ish- hierarkë të lartë socialistë, janë vetëm disa nga kategoritë që fërkojnë duart me shpresën e një disfate pa riparim të Ramës përballë Metës.
Natyrisht, për sa kohë “je në kalë”, shumica nuk ndjehen. Kur nisin “të të hiqen tullat”, të gjithë japin nga një dorë për “tullën” e rradhës. Sidomos kur kryeministri po tenton me çdo mjet të vrapojë drejt 30 qershorit, tani që edhe “shkëmbi” i 30 qershorit ligjor iu hoq.
Në këto momente, Edi Ramën po e këshillojnë keq. Ndoshta edhe po i shkojnë pas, duke i njohur kokën. Ndodh jo rradhë me një shef të vështirë, në prag të përfundimit të ciklit. Sepse është e sigurtë, shanset që ai të kapërcejë limitin tetë vjeçar në pushtet, janë thuajse zero. Normalisht, këtë e dinë edhe pse nuk e proklamojnë, deputetë, ministra, këshilltarë etj.
Në këtë periudhë, nuk është aspak çudi të riaktivizohen politikisht “të vjetrit e harruar” socialistë. Me eksperiencë të njejtë me Arta Daden dhe Arben Malajn. Nuk do të ishte e papritur nëse do të bëhej i gjallë edhe lideri historik i socialistëve, Fatos Nano.
Pas dekretit të presidentit Meta që anulloi ligjërisht 30 qershorin, mbrojtja e kryeministrit por edhe e datës së zgjedhjeve ka qenë anemike nga deputetët. Shumë syresh e dinë se kreu i shtetit ka të drejtë në veprimin e tij. E vetmja rrugë është zbatimi i dekretit presidencial, i cili mund të atakohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila për shkak të këmbënguljes së Ramës përmes reformës në drejtësi, është asgjësuar. Spiropali, Balla dhe Braçe janë shumë pak në mbështetje të kryeministrit.
Politika është ajsberg, vetëm pjesa e dukshme mbi ujë mund të komentohet. Por “Titaniku” u fundos pikërisht sepse kapiteni nuk llogariti pjesën e padukshme nën ujë. Këtë fat rrezikon të ketë edhe kryeministri në përplasjen e mundshme drejtë të cilës po nxiton të shkojë.
Edi Rama mesa duket, po braktiset edhe nga sondazhet. Është e lehtë të kuptohet, përndryshe me kohë do të kishte negociuar edhe dorëheqjen për të hyrë i barabartë në garë me Bashën në zgjedhje të gjithëpërgatitura e të gjithëpranuara. Për tu rikthyer kryeministër, ashtu siç ndodhi në 2017-ën, ku sondazhet i dhanë të drejtë edhe pasi i dha opozitës gjysmën e qeverisë. Por sot, po kuptohet se para dy viteve, më shumë se sondazhet, Ramës ia dhanë sigurinë “339”, “184” etj. Pikërisht këtë “mekanizëm” i duhet të dorëzojë, kërkesë që sipas gjasave, po i kërkohet pa zë edhe nga të vetët.
Edi Rama po mbush 14 vite të drejtim të Partisë Socialiste, të cilën gradualisht po e transformon në Rilindje. Në udhëheqje të partisë që u konvertua nga PPSH, ai po kalon edhe vitet e Fatos Nanos. Nuk ka dyshim që është në mbyllje të një cikli, ku ndryshe nga PD e partitë e tjera, në PS duhet respektuar rigorozisht. Sepse Edi Rama e transformoi totalisht këtë subjekt politik, pa dyshim më liberali në skenën politike shqiptare. Kryeministri gaboi dhe po vazhdon të gabojë. E asocioi emrin e PS-së me kriminelët në rangjet e saj më të larta, privatizoi dhe centralizoi çdo vendimmarrje të saj në të gjitha nivelet, ndërsa shuajti edhe zgjedhjet e verteta dhe me garë që në PS-në e Nanos dhuronin spektakël edhe për jo antarët.
“Zullumi këputet duke u trashur” dhe natyrisht Rama e njeh këtë shprehje. Por etja për pushtet e ka bërë të harrojë shumëçka, edhe “misionarin” në politikë. Pika maksimale e shkëlqimit të tij është tejkaluar, ndërsa “ylli” i tij po humbet me shpejtësi shkelqimin. Sot ai është thjeshtë viktimë e pushtetit që vetë ngriti, natyrisht edhe e mërzitjes që, edhe socialistët, si pjesë shqiptarëve, janë në prag të “pikës së ngopjes”. Edi Rama po ikën, bashkë me të edhe Rilindja për ti kthyer Partinë Socialiste Shqipërisë. /Nga Sokol N. SOKOLI/