Duket se situata në rang botëror po agravon dita- ditës. Kjo pandemi po merr një përhapje të gjerë. Masat e marra sado pak po mundohen të frenojnë këtë përhapje. Shifrat janë të frikshme dhe pritshmëritë po ashtu. Një virus që duket se ka gjunjëzuar tërë botën. Thuajse çdo shtet ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe po veprohet kudo në kushte të jashtëzakonshme.
Në Europë Italia mban numrin më të lartë të të prekurve po ashtu edhe të jetëve të humbura. Në shtetin fqinj po ndodh një fenomen që askujt nuk i kishte shkuar ndër mend më parë. Atje përshkak të numrit të lartë dhe kapaciteteve tashmë të mbingarkuara po ndodh seleksionimi i pacientëve. Kodi etik dhe moral e dënon ashpër diçka të tillë edhe konventat e të drejtave të njeriut. Trajtimet mjekësore duhen të merren njëlloj për këdo. Pamundësia për diçka të tillë po e detyron Italinë të veprojë në këtë formë. Kjo do të thotë se trajtimin intensiv që duhet ta marrësh kur prekesh nga Co vid- 19 po i ofrohet vetëm atyre që kanë parametra dhe kapacitet përballues. Pra e thënë ndryshe ato individë, të cilët kanë premisa të jetojnë. Edhe pse Italia cilësohet si një ndër shtetet kryesore të BE- së me një infrastrukturë mjekësore shumë të mirë dhe ekonomi të qëndrueshme, kjo nuk e ka ndalur ta gjejë veten në një situatë të tillë të papreçedentë.
Kjo pandemi nuk e la jashtë vendeve të prekura edhe Shqipërinë. Sot në vend rezultojnë afro 42 raste në një periudhë afro gjashtë ditore. Trendi duket rritës dhe masat e marra i janë përgjigjur agravimit të situatës, por kjo nuk mjafton. Që të mos shkojmë në atë gjendje që Italia është sot të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona. Specialistët kanë përcaktuar një listë masash që çdo individ duhet t’i zbatojë. Sipas të dhënave afro 70% e popullsisë mund të preken nga ky virus dhe nuk shfaqin simptoma, por ato fare mirë mund të kthehen në mbartës. Moshat e treta duket se janë më të prekurat dhe grupmosha ku janë shënuar më shumë raste të humbjes së jetës. Prandaj ato duhet të tregojnë me tepër kujdes në lidhje me shëndetin e tyre. Minimizimi i lëvizjeve ul padyshim riskun e përhapjes në masë. Prandaj duhet të tregohemi më të përgjegjshëm që të mos e agravojmë situatën deri në atë pikë ku ndodhet Italia sot, ku i duhet të përzgjedhë kush duhet të marrë trajtim intensiv e kush jo. Nuk mund të presim çdo gjë nga shteti kur ne nuk respektojmë shëndetin tonë në radhë të parë e më pas të të tjerëve.
Pasojat e kësaj pandemie padyshim do të ndihet gjatë. Jo vetëm përsa i përket aspektit shëndetësor e jetëve të humbura, por edhe dimensionit ekonomik. Duket se ekonomia është futur në një periudhë “karantinimi” gjë që do të këtë pasoja në të ardhmen. Ndikimi në ekonominë botërore po ndihet që tani. Në Kinë eksportet kanë rënë në masën 17.2 % në muajin Shkurt. Ekonomitë e mëdha evropiane do të pësojnë zhvendosje ndërkohë që virusi përhapet dhe vendet miratojnë masa kufizuese që frenojnë aktivitetin e prodhimit në qendrat rajonale, përfshirë këtu edhe Italinë Veriore. Si rezultat i aktivitetit ekonomik në depresion, projektet e Kombeve të Bashkuara do të bëjnë që flukset e investimeve të huaja direkte mund të bien midis 5 – 15 %, duke shënuar kështu nivelet e tyre më të ulëta që nga kriza globale financiare 2008-2009.
Në nivel sektori, turizmi dhe industritë e lidhura me udhëtimin do të jenë ndër më të goditurat pasi autoritetet inkurajojnë “distancimin shoqëror” dhe konsumatorët qëndrojnë brenda. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror paralajmëron se CO VID-19 mund t’i kushtojë transportuesit ajror global një shumë prej afro 63 miliardë deri në 113 miliardë dollarëve të ardhura në vitin 2020. Sektori i shërbimeve do të jetë ai që do ta ndjejë më shumë duke përfshirë këtu restorantet dhe aktivitetet sportive. Ndërsa bujqësia pritet të jetë ndër sektorët e vetëm, të cilët nuk do ta ndjejnë shumë ndikimin e këtij virusi në ekonomi.
Duke parë të dhënat dhe parashikimet, të cilat tregojnë për një situatë të rënduar, gjë që i ka gjetur shtetet të papërgatitura dhe reagimet e tyre do të jenë tashmë më të kufizura. Ekonomia shqiptare duke u njohur si një ekonomi e brishtë dhe me luhatje të mëdha do të jetë padyshim pre e kësaj situate të re botërore. Sidomos sektori i turizmit në Shqipëri ka mundësi t’i ndjejë i pari pasojat.
Kuptohet që shëndeti është primar dhe çdo gjë tjetër vjen pas, por nuk duhet të anashkalohen as ndyshimet ekonomike pasi ato mund të na lënë me pasoja edhe më të rënda. Shpresa është ajo që e mban gjallë një njëri, kështu pra të shpresojmë që kjo situatë të kalojë pa humbje të mëdha. Nuk duhet të harrojmë që një pjesë të mirë e kemi ne në dorë, prandaj duhet të veprojmë me përgjegjësi që ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë. /Nga Kolindo VJERDHA/