Jetojmë në kohë pandemie, diçka më e madhe se epidemia dhe çdo gjë tjetër natyrisht del në plan të dytë. Jeta e çdo individi të vetëm është më e vlefshme se 10 buxhete shteti të Shqipërisë. Të paktën kështu duhet të jetë në një shtet normal.
Prej disa ditësh tashmë po jetojmë në një trysni të pashoqe, personalisht të paparë asnjëherë, as në kohën e 1997-ës kur jeta ishte “turr a jaz” nën breshëritë pa kursim të Zotni Kallashit. E sidomos, kur orar pa orar je i detyruar të jesh në krye të detyrës si gazetar.
Paniku po mbillet me një shembull që ne e kemi shumë afër: Me Italinë! Një vend me të cilin jemi shumë të lidhur për shkak të rreth 1 milion shqiptarëve që jetojnë e punojnë me apo pa “letra” por edhe përmes informacionit që e përthithim më shpejt se ajo që ndodh madje edhe në Shqipëri. Falë edhe njohjes së gjuhës, e cila prej dekadash na është bërë e parë pas asaj amtare.
Mbase pikërisht për këtë arsye shqiptarët po tremben me atë qpo po ndodh në atë vend.
Vertetë një vend i zhvilluar, pjesë e G-7, G-8 apo G-20, por Italia prej kohësh ka patur probleme jo të vogla me sistemin shëndetësor. Sigurisht, jo në nivelin përtokë të Shqipërisë, por shumë larg standardeve të shumicës së vendeve të BE-së. Ata që janë ndjekës së medieve italiane, emisioneve investigative, e kanë konstatuar prej kohësh këtë. Jo vetëm kaq, por edhe ata që kanë emigrantë në Itali, e dinë. Përjashto repartet e urgjencës, të cilat ofrojnë shërbim të krahasueshëm me vendet e tjera, repartet e specializuara, me përjashtim të disa spitaleve që njihen me emër në Itali, të tjerët lënë shumë për të dëshiruar. Janë miliarda euro të taksapaguesve italianë por edhe të atyre të BE-së që kanë shkuart dëm. Janë dhjetra, ndoshta qindra struktura spitalore që janë ndërtuar e nuk janë vënë asnjëherë në shfrytëzim. Jo më kot, spitalet më të preferuara edhe nga shqiptarët, janë ato që menaxhohen apo bashkëmenaxhohen nga Kisha Katolike e struktura të saj apo spitalet e klinikat private. Mos më besoni, por pyesni dhe do ta konstatoni lehtë. Ndërsa Kina ndërtoi për 10 ditë një spital në Wuhan, Italia nuk po ia del as të ngrejë kapanone provizore (çadra) për të sëmurët me koronavirus.
Italia njihet zyrtarisht si vendi me popullsinë më të plakur në Bashkimin Europian. Ekspertët e shëndetësisë dhe të statistikave, edhe humbjet e jetëve njerëzore në këtë vend, në shifra që ndoshta mund t’ia kalojnë edhe Kinës, e lidhin me këtë fakt. Sigurisht, koronavirusi, si çdo sëmundje tjetër, bën edhe përjashtime duke prekur e marrë me vete edhe mosha të tjera përveç të tretave, por që të gjitha me patologji të njohur apo që mund të njihen pas infektimit me koronavirus. Të vjetrit në Shkodër gjithmonë kujtonin nga koha e pushtimit se “Italia kishte oficerët të zotë por ushtarët jo”. Edhe sot, Italia mund të ketë mjek e specialistë shumë të zotë, por infrastruktura lë shumë për të dëshiruar e koronavirusi po e tregon më së miri e me kosto shumë të lartë në jetë njerëzore.
Po trumbetohet me të madhe se rrezikohemi edhe ne nga një “skenar italian”. Uroj që as të mos i afrohemi, edhe pse në fakt kam gati bindje se nuk do të shkojmë në gjurmët e tij. Vërtetë që mosha mesatare e shqiptarëve është rritur nga 1990-a e këtej, por duhen edhe dhjetra vite për të shkuar në standardin e Italisë. As edhe të Spanjës, sidomos për përqindjen e “moshës së tretë” në raport me strukturën e popullsisë. Këto dy vende, bashkë me Francën, janë të parat në Europë. Vetëm një shifër: Italia në 2015-n e kishte moshën mesatare të popullsisë 45 vjeç ndërsa shqiptarët vetëm 33.5 vjeç. Ndërsa Spanja 42.3 vjeç.
Por edhe skenari italian me të cilin po na bëhet trysni, nuk po kopjohet i plotë. Ka rregulla të shumta, të ngjashme shumë me ato që kemi ne në Shqipëri, por akoma nuk kam dëgjuar për gjoba, bllokime makinash edhe në garazh, paralajmërime të vazhdueshme që synojnë vetëm diçka: Kufizimin e lirive themelore të njeriut, siç është edhe ajo e lëvizjes apo daljes në rrugë me orar.
Është epidemi, por sigurisht ka disa procedura juridike që një shtet i së drejtës duhet ti zbatojë. Në Itali ka një paralizë gati totale, por sipas ligjit, qeveria ka shpallur “zonë të kuqe” githë vendin. Ky term është më shumë se gjendja e jashtëzakonshme për ata që kanë njohuri. Paralelisht, janë 25 miliardë euro që kanë nisur të shpenzohen menjëherë në mbështetje të familjeve bizneseve dhe parashikohet që kjo shifër të shkojë rreth 100 miliardë. Në të njëjtën linjë janë edhe Gjermania me 500 miliardë, Franca 300 miliardë dhe sot Greqia me 2 milairdë.
Në Shqipëri, jemi akoma në fazën e fjalëve. Nga një dhomë që thotë se është në shtëpinë e tij në Surrel, kryeministri i ngujuar publikon statuse në Facebook që më pas, printohen në Fletore Zyrtare si VKM. Qofsha i gabuar, por nuk më rezulton që me VKM kufizohen liritë e të drejtat themelore të mbi 2 milion shqiptarëve në këtë vend. Kuptohet, qëllimi i kryeministrit është i mirë por duhen ndjekur edhe disa procedura. Fillimisht, duhet të marrë guxim e të dalë nga ngujimi i Surrelit nëse nuk është i infektuar. Të veshë një kostum apo edhe poture me atlete dhe të bëjë një mbledhje qeverie. Duke ruajtur distancat, me maska në gojë e doreza në duar. Më pas, me të njëjtat masa sigurie, të mbledhë parlamentin të paktën për 5 minuta. Të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme apo të emergjencës dhe në vijim, të kufizojë të gjitha të drejtat që i mendon të nevojshme për ti kufizuar në kushtet e epidemisë. Por si në rastin e termetit, jo vetëm do të ngurrojë por edhe nuk do ta realizojë. Sepse gjendja e jashtëzakonshme, sjell shumë detyrime për qeverinë dhe sipas gjasave, nuk do ti mbajë mbi kurriz.
Sa për kujtesë, neni 17 i Kushtetutës së Shqipërisë e përcakton qartë se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.”. Nuk më duket se Kushtetuta parashikon kufizim të të drejtave e lirive me një VKM.
Ky shtet, pavarësisht rrumpallë në të gjitha kuptimet, duhet ti lërë pak dinjitet vetes në emër të shqiptarëve të djeshëm, të sotëm e të nesërm. Edhe tani, nuk është vonë të veprojë. Sepse nuk është kurrë vonë për të korrigjuar veten, gabimet nën trysninë e kuptueshme të një virusi të tmerrshëm. Siç e pranon edhe vetë kryeministri.
Edhe kur kopjojmë, kopjojmë “alla shqiptarçe”. Më saktë, sipas interesit! E në fund, nuk duhet ta lejojmë që VKM-të që miratohen vetëm me vullnetin e një njeriu, të kushtëzojnë jetët tona. Me kusht edhe ndryshimin e Kushtetutës, e sidomos kur nuk kemi një arbitër që të monitorojë “lojën”. Për tre muaj mund të përmbyset krejt edhe vetë sistemi! /Nga Blerti DELIJA/