Situata e Partisë Socialiste në Shkodër ka dalë në sipërfaqe por “lajm” është prej shumë vitesh. Këtë e dinë shumë mirë vetë socialistët shkodranë por edhe gazetarët për shkak të informacioneve që kanë. Partia Socialiste në Shkodër duhet të bëjë hapa pas nëse dëshiron të përmirësohet. Po, po, duhet të kthehet pas disa vite, ndoshta edhe para vitit 2013.
Partia Socialiste në Shkodër bashkëndante disa ambjente me sindikata e shoqata në ndertesën “Jorgji Karamitri”, thuasje përballë me lokalin e njohur asokohe “Bar Lille” ose tek Hasani (RIP). Ishte shumë e vështirë ta gjeje mbyllur derën e selisë së PS- së. Gëlonte dhe nuk po flasim vetëm për vitet e pushtetit 1997- 2005 të PS- së.
Në Partinë Socialiste ka patur garë. Garë të fortë, në shumë raste, të ashpër. Ne që jemi gazetarë, e dimë më mirë se askush. Debatet, mendimi ndryshe, ishin normalitet. Po ashtu, votimi në kryesi apo komitet drejtues, ishte rregull i shenjtë, pavarësisht pakënaqësive e lobimeve që i paraprinin siç ndodh apo duhet të ndodhë kudo të parti politike.
PS- ja në Shkodër ka qenë një degë modeste në nivel kombëtar, por në jo pak raste drejtuesit e saj ngronin zënin edhe në forume kombëtare. Besoj se ju kujtohen KPD- të e famshme, kur kryetari i PS Shkodër Ndrek Rukaj debatonte e replikonte në transmetim “Live” me Fatos Nanon. Edhe fushatat për zgjedhjen e kryetarit apo forumeve, ishin beteja të forta, shpesh duke tejkaluar edhe konceptin e politikës.
Për pozicionet e rëndësishme drejtuese, në administratën lokale, mblidhej Kryesia e degës. Jo rrallë janë rrëzuar emra si propozime të deputetëve të asaj kohe, sepse në selinë e Tiranës, duhej të shkonte vendim kryesie, i votuar dhe me firmë e me vulë. Pavarësisht emrit Parti Socialiste, ishte një subjekt mjaft demokratik ku ishte e vështirë që pa kontribute të ecje përpara në karrierë administrative apo politike.
Është thënë shpesh herë por thuajse kurrë nuk është analizuar se gradualisht, sidomos nga 2013-a e këtej, Partia Socialiste, edhe në Shkodër është transformuar në Rilindje. Sot pas mëse 8 viteve, janë të shumtë socialistët që jo vetëm e gjejnë veten jashtë “shtëpisë së tyre” por as nuk ndjehen të përfaqësuar. Edhe votat pro PS dhe kandidatëve të saj në zgjedhje politike, i hedhin për inerci.
PS- ja, strukturat dhe kryetari në Shkodër, u zëvendësuan nga “të fortët”, kryesisht deputetë por edhe ata që “i kishin punët mirë” me Ramën apo ministrat e tij. Emërimet tashmë nuk niseshin si propozime të strukturave të Shkodrës por të deputet/ëve që “çanin” deri tek zyrat e ministrave. Figurat historike, me kontribute shumëvjeçare, u nxorrën nga skena. Ku janë sot ish- kryetarët e PS- së në vite? A e shihni ndonjërin të futet në seli, të marrë pjesë në mbledhje apo takime?
Marrja e një selie të re për PS- në në Shkodër, një ndërtesë komode dhe me ambjente të bollshme, krijoi iluzionin që ky subjekt do të fuqizohej jo vetëm në logjistikë. Por në fakt, në atë seli nuk ka se kush rri. Kush e mban mend, kur është zgjedhur nga antarësia kryetari i fundit i PS- së Shkodër? Ai tashmë komandohet/emërohet nga Edi Rama. Siç është edhe rasti më i fundit. Shkodra si bashki, nuk ka akoma një kryetar legjitim, ndërsa prezantohet kryetari i PS- së së Qarkut Shkodër siç e prezantoi Rama në Asamblenë Kombëtare apo drejtuesja politike siç u cilësua mbrëmë.
Partia Socialiste në Shkodër është transformuar, tjetërsuar thellësisht. Dhe nuk është një proces normal, natyror apo “qarkullim i elitave”. Edhe “ngritja e zërit” nuk vjen për parime, shkeljen e tyre, të statutit të partisë por vetëm kur cënohen interesa individuale apo klanore. Sepse prej vitesh tashmë togfjalëshat “krahu i Tomës”, “njeri i Beqajt”, “mbështetës i Ditmirit”, për të vijuar me emrat e tjerë Paulini, Senida, Beneti, Edona etj., e kanë copëzuar këtë subjekt politik. E përballjet më të forta, të dukshme e të padukshme, janë bërë pikërisht duke përdorur këto epitete, natyrisht kur njëri dobësohej e tjetri forcohej. Edhe për kandidatët për këshillat bashkiakë e bashkitë në nivel qarku.
Edhe drejtoritë rajonale janë ndarë pikërisht sipas skemës së mësipërme. Në Shkodër “i ecën fjala” vetëm këtij deputeti, në Malësi të Madhe mos ndërhyni se emërimet kalojnë përmes këtij deputeti, punësimet në Pukë, Vau- Dejës e Fushë Arrëz janë të atij/asaj…
Në fakt, në këto mbledhje që pasuan 25 prillin, PS në Shkodër duhej të analizonte humbjen e thellë. Në tre deputetë nga 4 që kishte mandatin e kaluar, janë matematikisht rënie 25%. Po ashtu, do të ishte momenti i duhur të bëhej presion jo për vende pune, për drejtori vendore e rajonale por për ti dhënë të drejtën socialistëve shkodranë të zgjedhin Asamblenë e tyre, Kryesinë e Kryetarin. Jo ti komandohen/emërohen por ti zgjedhin. Edhe për Forumin e Gruas, FRESSH-in etj.
Tingëllon e çuditshme por PS ka nevojë të kthehet pas, para 2013- ës, ndoshta edhe para 2005- ës për të rigjetur vlerat që i kanë humbur, garën e munguar, vendimmarrjen e antarësisë. Ndoshta vetë kryetari- kryeministër Rama e ka nxjerrë degën e Shkodrës në periferi, ndoshta ka vendosur të mos i kushtojë rëndësi apo mbase “ti hapë krahun” një force tjetër politike. Por socialistët shkodranë nuk duhet ta lejojnë, për shkak të kontribute/ krediteve të akumuluara në vite, si antarë të një organizate vullnetare që duhet të veprojë sipas parimeve të gjithëpranuara. /Nga Blerti DELIJA/