![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2019/02/edi-rama-enver-hoxha.jpg?x28643)
“Do të marrim të 61 bashkitë”, kështu u shprreh sot numri 2 i PS-së Taulant Balla. Edhe po të dojë, nuk mund të pretendojë të marrë më shumë sepse pas ndarjes së re territorile në 2015-ën, kaq janë gjithsej. Aktualisht, vetëm 15 nga 61 drejtohen nga kryebashkiakë josocialistë por edhe këta PS e Edi Ramës synon ti marrë me 30 qershor. Dhe mund ti marrë sepse PD me kryeministër Edi Ramën nuk ka në plan të futet në zgjedhjet vendore.
Ndërsa deri sot mendohej se Edi Rama vuante nga “etja për pushtet”, sot u mësua se ai po vuan sindromën e të kaluarës që kthehet. Nuk kanë kaluar aq shumë vite për të kujtuar atë që ndodhi në vitin 1946, atëherë kur u bënë zgjedhjet e para “demokratike” të pas luftës. Kishte nga ata që besonin në demokraci dhe jo të gjitha “kokrrat” u hodhën në kutinë e Partisë Komuniste apo Frontit. Disa u hodhën edhe jashtë saj, në një kuti tjetër nga e cila dolën disa deputetë jo komunistë. Fundi i tyre tragjik është i njohur…
Sot, pas 4 viteve nga zgjedhjet e 2015-ët, kur opozita arriti të marrë 15 nga 61 bashki, Edi Rama përmes numrit dy të PS-së, thotë se do ti marrë të gjitha. A nuk është thuajse e njëjta skemë si në 1946-ën me “grupin e deptetëve”?!
Pas pushtetit legjislativ ku sipas gjasave, bashkë me “opozitën e re” do të ketë deputetë mjaftueshëm edhe për ndryshimin e Kushtutës, shkarkimin e Presidentit; pas “drejtësisë së re” e cila duket se deri tani ka ndryshuar thjeshtë orientim nga “e Berishës” në “të Ramës”; pas qeverisë që është zgjatim i dëshirave të kryeministrit; pas mediave që në mos censurohen po vetëcensurohen; vetëm qeverisja vendore kishte mbetur pa u futur “nën sqetull”. Edhe atë, me këtë vrull “revolucionar” dhe delir madhështie të dukshëm, Rama do ta marrë.
Hapi tjetër i rradhës? Parlamenti aktual ose një Asamble që mund të krijohet, ta shpallë vendin monarki dhe Edi Ramën mbret që trashëgon fronin genetikisht. Diku, dikur është përfolur edhe me një lidhje gjaku apo shërbimi me familjen e vetme mbretërore shqiptare që nuk kapërceu dot as brezin e parë si monarki.
Siç edhe Stalini, Hilteri, Mussolini, Franko, Enveri e të tjerë, edhe Rama fasadën e çdo gjëje e ka demokratike. Që të gjithë u ngjitën me votë popullore, e cila më pas nuk u përdor më apo ishte thjesht votë demagogjike, pak a shumë si në Kinë apo Korenë e Veriut sot. 29 vite nga ndarja zyrtare me të dhe 75 vite nga nisja e instalimit të diktaturës, reminishencat e të kaluarës po rikthehen tek Partia Socialiste, e cila në qershor 1991 u konvertua nga Parti Komuniste (e Punës) në atë që sot po drejton Edi Rama. /Nga Blerti DELIJA/