Nga Bardh SPAHIA
Neveritëse makinacionet e Edi Ramës për të kapitalizuar vëmendje në rastin e krizës humanitare në Afganistan. Po shqyen paturpësisht cdo derë medie ndërkombëtare për t’u paraqitur si shpëtimtar e marrë kredite personale për një akt që është krejt normal dhe njerëzor. Po! Afganët duhen mirëpritur e shpëtuar nga talebanët dhe Shqipëria nuk është vendi i vetëm që po shpreh gadishmërinë. Por asnjë kryeministër nuk sillet si klloun duke sharë e mallkuar në media të huaja vende të tjera, që nuk e bërtasin gadishmërinë e tyre.
Nuk e bën kancelarja Merkel, edhe pse Gjermania po shpëton me avionë të posacëm edhe ata afganë që nuk janë në listat e saj dhe nuk është i vetmi vend. Madje Gjermania do vijojë ta bëjë këtë edhe pas 31 gushtit, por Merkeli nuk del ta thotë nëpër mediat botërore këtë. Thjesht e bën. Njëlloj modestisht sillet edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, vend i cili që në krye të herës njoftoi se kishte 75 shtetas të vet në Afganistan dhe i riatdhesoi.
Nuk e bërtet nëpër media ndërkombëtare asnjë nga vendet që tashmë e ka shpallur kapacitetin e vet pritës. Përvec kryeministrit tonë delirant, asnjëri nuk del të kërkojë të intervistohet në media ndërkombëtare, sepse veprimi humanitar, thjesht bëhet e nuk bërtitet.
E bën vetëm Edi Rama, që e ka bërë vendin të spikasë për korrupsionin e lartë e trafikun e drogës edhe në raportet e DASH. E bën i dëshpëruar për vëmendje, atë vëmendje që nuk ua jep qytetarëve të vet.
Nuk ua dha familjeve të mbetura pa strehë nga tërmeti sepse nuk ka një shifër se sa strehuar në banesa të reja sic u takon!
Nuk u dha vëmendje por i injoroi sistematikisht thirrjet për ndihmë të banorëve të përmbytur të nënshkodrës.
Nuk pati vëmendje as për zjarret e kësaj vere, por vetëm doli e lypi në Europë, atë Europë që anatemon për afganët, të cilës i ka shtrirë dorën në vazhdimësi edhe për përmbytjet, edhe për tërmetin, sepse nuk ka shërbim adeguat të emergjencave civile!
Nuk i kushtoi vëmendje masakrës mjedisore me plehrat në zemër të sezonit veror, por vetëm u dëgjuan llogari në favor të inceneratorëve.
Nuk i bëhet vonë as për krimin, që është bërë pjesë e përditshmërisë prej kohësh, duke mposhtur strukturat e shtetit.
Mburret më vaksinimin por nuk i bëhet vonë e madje as nuk sqaron se përse shqiptarëve nuk u njihen vaksinat për udhëtimet jashtë vendit, sic po i njihen Maqedonisë së Veriut për shembull. E thjeshtë: nuk ka vëmendje për qytetarët e vet.
Fatkeqësisht nuk i bëhet vonë as për të rinjtë shqiptarë, më të talentuarit që zgjedhin të shkollohen jashtë, sepse ky vend nuk u ofron kushte por vetëm mashtrim e indiferencë edhe kur ngrihen për të drejtat e tyre.
Asnjë fjalë nuk pati kur renditi suksese imagjinare për dy mandatet e veta! Thjesht se nuk i bëhet vonë dhe kjo është fatkeqësi që shqiptarët duhet ta kenë parasysh cdo ditë.
Empatia e rreme që shpalos për afganët nëpër mediat ndërkombëtare duke folur për shqiptarët si viktima të diktaturës, kur vetë është lindur, shkolluar dhe formuar pikërisht me benefitet e bllokut komunist është pastaj gjëja më e shpifur, që edhe një njeri i zakonshëm mund të bëjë e jo më në detyrën e kryeministrit të një vendi.
Shqiptarët nuk e meritojnë një individ të tillë për kryeministër, që pasi e nxiu vendin me njollën e korrupsionit e trafikut të drogës, ka kurajon edhe t’i bëjë qesharakë, me sjelljet prej deliranti plak të pandreqshëm. /Publikuar në Facebook/