“U mbars mali dhe polli një mi”. 24 orët e fundit u mbingarkuan me lajme për Shkodrën, sidomos lidhur me zëvendësuesin e Valdrin Pjetrit si koordinator politik i PS-së për Qarkun e Shkodrës. Siç është normale, nisën të sfidojnë edhe emrat e kandidatëve të mundshëm. Nga Shëngjini u tha fillimisht se mbledhja shumë e rëndësishme do të zhvillohej në Shkodër. Paraditen e sotme, u zhvendos në Tiranë pasi veç çeshtjes së Shkodrës, Kryesia e PS-së ka sigurisht edhe tema të tjera. Sidomos ato lidhur me qasje me situatën politike në vend dhe rrugët e daljes.
Para mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Rama ka patur një takim me drejtorët rajonalë të Shkodrës dhe përfaqësues politik të nivelit vendor. Ndërsa mbledhja kishte nisur, u mësua se nuk do të kishte ndonjë emërim si pasues të Pjetrit por një grup pune për të “rikthyer besimin e shkodranëve tek PS-ja”. Sigurisht, pas shpërthiqjes së fortë të mesgushtit për Bashkinë e Shkodrës.
E në fund të takimit, u vendos të flasë Brisela Truma Kadia. Në fakt në disa media, edhe emri si shkruhej gabim duke i shtuar një “D”, edhe pse shumë mirë me një kërkim në Facebook mund të gjendeshin gjeneralitetet e sakta.
Dallohej qartë se kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, produkt i “30 qershorit” ishte e emocionuar. Aq më shumë kur do të dilte “live” për herë të parë edhe në televizionin kryeministror ERTV. Mesa duket, intervista nuk doli ashtu siç ishte parapërgatitur apo duhej të dilte në media. Për këtë, pak minuta pas “live”-s, ajo u fshi nga kanali i kryeministrit. Gjithsesi, mbeti në disa media që e shkarkuan në kohë.
Me dashje apo pa dashje, e orientuar apo e çorientuar politikisht, Brisela Kadia doli për të dhënë një mesazh. Interpretimi është çeshtje tjetër. “Stop i minut”, do të ngelet gjatë në mendje, mbase e mësuar me ndonjë intervistë në media lokale, jo direkte, kryetarja e KB-së Shkodër ka tentuar ta nisë nga fillimi edhe njëherë.
Në themel, edhe pse nisur nga mosha nuk ka shumë lidhje, Kadia zyrtarizoi qëllimin e PS-së për një “parti- shtet” në Shkodër. “Gabimisht”, ajo ngatërronte Bashkinë e Shkodrës me Qarkun e Shkodrës, rrjedhimisht edhe drejtorët rajonalë. Kryetarja e KB Shkodër, jo pa eksperiencë në pushtetin vendor duhet ta dijë se Këshilli Bashkiak nuk emëron apo ç’emëron drejtorët. Gjithmonë, nëse ka folur për drejtorët “e vegjël” të Bashkisë Shkodër. Edhe nëse ky këshill bashkiak e ka “jetën të gjatë”, nuk mund të emërojë asnjë punonjës të thjeshtë, jo më drejtorë. Sepse kështu e thotë ligji, e thonë ligjet më saktë. Në rastin më të mirë, Këshilli Bashkiak mund të miratojë strukturën e Bashkisë apo institucioneve të varësisë. Emrat konkret i vendos dikush tjetër, ai person që është zgjedhur apo do të zgjidhet direkt nga qytetarët: Kryetari apo kryetarja e Bashkisë Shkodër.
Nëse i është referuar drejtorëve rajonalë apo siç njihen rëndom “atyre të shtetit të madh”, duke folur politikisht, Kadia ka gjithë të drejtën e Zotit ti kërkojë dorëheqje në bllok. Edhe pse nuk është aspak normale. Vetëm në komunizëm janë përdorur metoda të tilla, madje këtë herë më keq, duke i kërkuar të “vetëvriten” nga postet përmes dorëheqjes. Edhe fakti tjetër, që të gjithë drejtorët do të jenë gra, nuk është aspak normale. Nga diskriminimi i gjinisë femërore, automatikisht kalojmë në kahun e kundërt. Aq më shumë, kur përgjegjësia është gjithmonë individuale dhe jo kolektive për të sjellë dorëheqje masive.
Dhe tjetra, edhe më e bukur. Brisela Kadia premtoi ngritjen e “komisioneve qytetare” për përzgjedhjen e drejtorëve të rinj. Marri, e një shkalle të lartë. E para, ka një procedurë të saktë për emërimet e të gjitha niveleve. E dyta, PS kishte probleme brenda rradhëve për gjetjen e emrave të GNV-ve për Bashkinë e Shkodrës, jo më të gjejë “të paanshëm” politikisht për angazhime të tilla. E treta, nëse një budallallëk i tillë që gjen të dytë tek komsolasit sovjetik, do të ishte ndarje torte brenda familjes socialiste, duke favorizuar parimin “fiton më i forti dhe më i pasuri”.
Në orët e para të mbrëmjes së sotme, Brisela Kadia shënoi një ngritje të shpejtë, ndoshta më e shpejta në historinë e PS-së Shkodër. Zyrtarisht gjithçka nisi me 19 gusht, në mbledhjen e PS-së që i parapriu konstituimit të KB Shkodër. Procesverbali i dalë nga kjo mbledhje, tregoi se fillimi i ngritjes së Kadisë ishte vullnet i Ramës, i shprehur me gojën e Mesit në selinë rozë të Shkodrës. Edhe pse nuk ishte më e votuara në struktura (ishte ish- kryetari Arvit Osja), me 21 gusht Kadia u zgjodh kryetare e Këshillit Bashkiak.
Natyrisht, kur sheh listën e 40 këshilltarëve socialistë, Kadia nuk ishte më e kuotuara për këtë post. Por dalja e sotme, tregon qartë se për Kadinë, ka një projekt atje lart në PS. Ndoshta edhe më i bujshëm se ai për Senida Mesin. Nuk është aspak çudi që Kadia të jetë pikërisht zëvendësuesja e Valdrin Pjetrit. Jo vetëm si koordinatore politike për Qarkun e Shkodrës, por edhe si kandidate për kryetare Bashkie, kurdo të ketë zgjedhje. Nuk duhet të habitemi edhe nëse do të jetë kryesuese e listës së kandidatëve për deputetë të Shkodrës, kurdo të ketë zgjedhje politike. Sepse e thamë, mesa duket ka një projekt për një figurë të re politike në PS Shkodër.
“Stop i minut…”, mbase kjo shprehje ka krijuar pak rezerva sot në lidershipin aty lart në PS. Sepse “Stop i minut…”, mund të ketë folur ajo që quhet “pavetëdije” sipas Frojdit. Ose shqip, gjuha ka nxjerrë “pa leje” atë që ka menduar truri në atë moment çiltërsisht. /Shënim i ShkodraWeb/