Duke e çuditshme por edhe telenovela “Kajmaku” po ecën në të njëjtën linjë me atë që u vu në skenë në Shkodër me titull “Pjetri”. Vetëm pak minuta më parë, kryebashkiaku i PS-së në Vorë publikoi disa rreshta, më shumë emocionale për t’iu kundërpërgjigjur PD-së, e cila në mesditë publikoi një vendim të një gjykate greke për Jorgo Toto alias Agim Kajmaku.
Është një reagim i çastit, natyrisht jo i konsultuar me PS-në dhe drejtuesit e saj. Heshtja e tyre, edhe pas publikimit të dokumentit nga PD-ja, flet shumë.
Për ata që e kanë ndjekur, “rrjeta” e PD-së për të zënë “peshqit” me të kaluar të errët të PS-së, funksionon thjeshtë. Fillimisht ngrihet çeshtja, më pas bëhen disa pyetje duke sulmuar politikisht edhe Edi Ramën, publikohet një/disa dokumente dhe…qëllimi arrihet. Në mënyrë të pashpjegueshme, edhe reagimi i kryebashkiakëve, është ekzaktësisht i njëjti. Si në rastin “Pjetri” të Shkodrës, edhe “Kajmaku” i Vorës reagon në të njëjtën mënyre: Publikim i dokumentave të gjendjes aktuale gjyqësore duke u shpallur “i virgjër”, përbetim se është i pastër “qelibar” kur PD-ja publikon ndonjë dokument dhe…dorëheqje! Në rastin e kajmakut, kjo procedurë mund të zgjasë për arsye procedurale, pak a shumë si në telenovelën “Roshi” të Kavajës.
Është e qartë, se edhe në këtë rast, Kajmaku i Vorës është lënë i vetëm përballë sulmeve të PD-së. Tregues i qartë janë edhe mediat pranë qeverisë, të cilat nuk po “kursejnë” as Kajmakun, siç ndodhi edhe me Pjetrin në Shkodër.
Lexoni më poshtë atë çfarë deklaroi kryebashkiaku i Vorës në Facebook dhe kujtohuni, a ju duket se i keni lexuar edhe diku tjetër justifikime të ngjashme…?!
Që pas marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë së Vorës, ata s’u përballen nga frika e humbjes së padiskutueshme, më janë vërsulur me tërbim!
Por unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm.
Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja.
Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi.
Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeriu. Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim!
Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për t’a vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve.