ANALIZA/ Katër ditët që zbuluan Lulzim Bashën…

Sjellja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë këtyre katër ditëve të kësaj tragjedie kombëtare që pllakosi vendin për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit n’a detyroi që në fillim të këtij shkrimi, si edhe në rreshtat që vijojnë, të lëkundemi pa pushim midis shqetësimit të skajshëm dhe shpresës. Herë i themi vetes se shqiptarët, kur e kanë parë keq, në orët më të zymta të tyre, kanë ditur të gjejnë brenda vetes burimet që duhen për të dalë prej së keqes, qoftë edhe me çmimin e sakrificave të mëdha. Dhe, herë tjetër, duke thënë se është papërgjegjshmëri të presësh çdo herë një mrekulli. Bindja jonë sot është se rrugëzgjidhjet po ngushtohen, pa diskutim, por se ende nuk janë zënë. Pra nuk është dëshpërimi që na duhet të predikojmë, por shpresa.

Për këtë arsye dhe asgjë tjetër në këtë botë sjellja e tij politike ka ngjallur shpresë të madhe jo vetëm tek popullsia e prekur nga tërmeti, por edhe tek pjesa tjetër qytetare, e cila prej kohësh sheh me dyshim gjithë veprimet e tij opozitare dhe kjo sjellje e tij, nuk është bërë me siguri, për t’u dukur ndryshe nga gjithë liderët e politikës shqiptare, por pavarësisht kësaj dhe asaj se çfarë thuhet, Lulzim Basha është në të vërtetë një lider i tillë: human, i përgjegjshëm, i ndjeshëm, i vëmendshëm, i dhimbshëm dhe bashkues. Krejt ndryshe nga përpjekjet për të minuar situatën, edhe ashtu e brishtë saç është ajo, ai është shfaqur në publik me detyrën e një lideri politik, për t’i bërë qytetarët të ndjehen të sigurtë nga të gjitha palët.

Lulzim Basha përgjatë këtyre viteve është gjendur vazhdimisht nën peshën e një lufte të pazakontë dhe të pabarabartë me Edi Ramën, i cili s’ka lënë mjet dhe mënyrë pa përdorur, të paligjshme dhe djallëzore, forma përçudnuese për t’a mposhtur atë dhe Partinë Demokratike. Kundër tij dhe forcës që drejton është përdorur gjithçka; paraja, kr.imi, shantazhi, kërcënimi, d.huna, shpifja, pabesia, blerja, denigrimi, përçarja, joshja, miklimi dhe karriera. Është përdorur një lukuni mediatike dhe një ushtri mercenarësh politik, pasi mjedisi i shoqërisë shqiptare, sidomos mjedisi politik është toksik, ndaj Edi Rama përzgjodhi gjithmon më të ndoturit për të sabotuar opozitën. Përdorimi nga Edi Rama i disa eksponentëve të lartë të Partisë Demokratike është i pamëshirshëm; ai nuk kurseu askënd dhe asgjë që ka ambicie politike, nuk la dobësi njerëzore pa përdorur, nuk la kompromis të neveritshëm pa bërë vetëm që Lulzim Basha të mos jetë lideri i Partisë Demokratike. Dhe, për të mos mjaftuar as kjo, në Thumanë një gazetare e mbushur me plot naivitet ose e direktuar nga qendrat e pushtetit, pyet kreun e PD-së Lulzim Basha se nga kush duhet drejtuar gishti.

Ky i fundit, krejt i përlotur, me një zë të qetë dhe kokën lart, por i mbushur plot e përplot me dhimbje, deklaroi atë që askush se priste; bashkim dhe solidaritet kombëtar, pavarësisht dallimeve dhe përkatësive politike. Për Lulzim Bashën s’kishin asnjë vlerë sulmet politike, ofendimet, denigrimet dhe tendecat për t’i shkatërruar familjen, karrierën dhe jetën. Ato sjellje nuk ishin kumti i tij dhe s’kishin si të shprehnin as vullnetin dhe as personalitetin e tij. Në ato çaste Lulzim Basha dukej se kishte zbritur nga një tjetër botë dhe s’ngjasonte me askënd lider politik. Ai të krijonte bindjen se me qëndrimin e tij dinjitoz po iu drejtohej gjithë shqiptarëve se jemi në kohë dhe mund t’i ndryshohet drejtimi rrymës se nga po shkojnë gjërat, por që për këtë duhet të tregohemi të guximshëm dhe me imagjinatë, në vend që të jemi vullnetdobët, hakmarrës, të trembur dhe konvencionalë. Se duhet të guxojmë të përmbysim rutinat e të menduarit dhe zakonet e qëndrimeve tona, të përmbysim frikërat dhe mllefet e krijuara për të ndërtuar nesër shkallën tonë të përparësive.

Me sjelljen e tij, Lulzim Basha tregoi fytyrën e Shqipërisë së nesërme, e cila kërkon të jetë më dinjitoze, më e dashur dhe europiane. Qëndrimi i kreut të PD-së mori akoma edhe më shumë vlerë, pasi tregoi një lider që vepron me realizëm, pa mllef dhe urrejtje politike dhe mbi të gjitha s’mendoi për asnjë moment se çdo e keqe që vjen për popullin, qoftë edhe nga Zoti, vjen për të mirën e tij. Ndoshta dhe për diçka tjetër. Ai s’u shfaq për asnjë moment as si nekrofil, i cili prej kohësh n’a është shfaqur mes nesh sa herë shfaqet e ethshme politika. Sa herë shfaqet, thuasje sensuale, dashuria për pushtet. Lulzim Basha nuk ishte pjesë e këtij metri, pasi protagonistët e “dashurisë për vde.kjen” në fakt, s’e kanë mendjen te ata që shkojnë, por e kanë gjithmonë mendjen te vetja e tyre.

Mjaftuan vetëm katër ditë dhe asnjë ditë më shumë për të hedhur poshtë gjithë makinerinë e baltës së ngritur kundër Lulzim Bashës dhe pikërisht këto ditë, këto qëndrime dhe sjellje të kreut të Partisë Demokratike, detyruan vetë kryeministrin Edi Rama të shpërndajë në rrjetet sociale një videomesazh të përgatitur nga Lulzim Basha, drejtuar qytetarëve shqiptar. Basha kishte lënë pas ndasitë e vjetra, duke bërë thirrje për bashkim për të përballuar tërmetin tragjik që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, ku la dhjetra viktima, shumë të pla.gosur, ndërsa fati i disa të tjerëve ende nuk dihej akoma nën rrënoja.

Lulzim Basha ngadalë po ngrihet mbi vetveten, duke qenë vetvetja. Ai as s’ka dalë jashtë saj ndonjëherë me premtimin për t’u rikthyer përsëri shpejt, bashkë me lirinë që do i duhej për t’i dhënë frymëmarrje asaj. Dhe as ka menduar se kjo frazë e dhunuar shpesh nga moskokëçarja e përjetshme e racës njerëzore do t’i nënshtrohet një plani apo rregulli të caktuar. Ai është shfaqur ashtu siç është në të vërtetë dhe pikërisht kjo shfaqje, pra ideja se Lulzim Basha i vertetë po dilte në media i patrukuar, i pakomentuar dhe që u kishte mbyllur gojën të gjithëve edhe armiqve më të egër, duket se i kishte gjetur të papërgatitur kundërshtarët e tij politik.

Ky lloj raporti me rivalin kryesor, me gjendjen e krijuar në vend i mërzit, madje i skandalizon bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe ndoshta jo të tillë në parti. U duket një raport i kërkuar, manierist dhe ç’është më kryesorja, fare pak motivues në funksion të betejes për pushtet. Në fakt, Lulzim Basha është plotësisht i vetëdijshëm se pushteti socialist është i fortë. Por, thellë-thellë, ai konkurron me ta në sfera të tjera, më thelbësore, më të larta, që nuk kanë të bëjnë me ndërtimin e fasadave, sistemimin e qendrave urbane apo kriminalizmin e politikës. Lulzim Bashën, ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij, nuk e shqetëson forma, por thelbi. Ai nuk bazohet tek ajo që shihet, por tek ajo që ndihet. Dhe në sferat ku konkurron ai, që kanë të bëjnë me dijet, moralin, etikën dhe me vizionin e një shteti ku jetohet dhe jo të një shteti dekorativ që shihet, siç duket socialistët tashmë po zgjasin kokën për të mësuar diçka…

I veshur me të zeza, në agim të ditës tjetër, Lulzim Basha po largohej nga Thumana në drejtim të Durrësit. Ndërsa makina kishte marrë rrugën drejt qytetit bregdetar, Lulzim Basha kthen kokën edhe njëherë me besimin se fatkeqësitë për këtë vend do të ndalen me aq sa i panë sytë. Vendi po ngjasonte i lodhur si një lehonë që ka hequr një mijë të zezat në terr dhe në të ftohtë. Gjithçka dukej e brishtë, e thyeshme, delikate. Kishte shumë të vrarë dhe shumë heshtje. Funeralët kishin nisur të bëheshin me ngut dhe niseshin drejt varrezave për të mbarur punë para se thyehej mesdita. Pa i kthyer sytë, ndërsa Thumana nga larg tashmë dukej si një grumbull dheu, një paralajmërim kobzi po i sillej në mendje, se tragjedia do shtohej dhe të vrarë të tjerë do nxirreshin mbi gërmadha… /Nga Reldar DEDAJ/


Për t’u bërë pjesë e grupit të "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal