Natyra bëri punën e vet. Mosha bëri të sajën. Iku nga kjo dynja duke mbyllur sytë në shtëpinë e vet, me njerëzit e vet rrotull. Deri në momentet e fundit të jetës, u përpoq të amplifikonte, të pastronte ku ishte nevoja, sundimin 45 vjeçar të të shoqit dhe të sistemit që ai ideoi e ngriti. Edhe ato 5 vite që kaloi e mbyllur, më shumë i shërbyen për të shkruajtur kujtime e refleksione, të cilat sot kanë mbushur hapësirat mediatike, nga ato online, deri tek shtypi i shkruar. I vetmi “ndëshkim” që i erdhi gjatë 30 viteve të fundit, ishte i famshmi “gjyqi i kafeve”. Pas viteve të burgut, jo vetëm pastroi pozitën e vet juridike me vendime gjykatash, por mori edhe dëmshpërblim për “burg të padrejtë”.
Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit shqiptar, është personifikimi jo vetëm i mosndëshkimit të hierarkëve të lartë të sistemit diktatorial, por në një farë mënyre, edhe i triumfit të tyre përballë një shoqërie të sfilitur edhe sot, 3 dekada nga ndarja me sistemin komunist.
Nexhmija shprehej krenare për aktivitetin e saj, po ashtu edhe familja shprehu krenari për të në momentin që iku nga kjo botë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në fakt. “Vejusha e zezë”, siç quhej nga shumëkush, për asnjë çast nuk shprehu pendesë, nuk kërkoi falje për mynxyrat mbi shqiptarët të të shoqit, sistemit që ai ideoi e ngriti por edhe të vetë Nexhmije Hoxhës. Prova më e qartë, është fati i shoqeve të saj të shkollës në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”. E fundit për nga rradha, Fiqerete Shehu, bashkëshortja e ish- kryeministrit Mehmet Shehu.
Burgu i Nexhmijes, që siç e ka deklaruar vetë por edhe të tjerë që e kanë njohur e frekuentuar në atë kohë, më shumë se ndëshkim ishte për “t’i ruajtur kokën” nga ndonjë hakmarrje e mundshme nga viktimat apo të afërmit e viktimave të 45 viteve sundim të diktaturës. Ishte “Zonja e Parë” e Shqipërisë për 45 vite por edhe këto 30 të fundit, padyshim lëvizte fijet në politikën shqiptare. Sidomos, në krahun e majtë të saj. Pas Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxha duket se përfundoi misionin e Katovicës në këtë vend: Riciklimin në pushtet të ish- komunistëve, pasi u fuqizuan ekonomikisht duke përfituar nga sistemi kapitalist. Gjykoj se ky është dëmi më i madh që ajo i ka bërë Shqipërisë dhe që do të vazhdojmë ta vuajmë për dekada të tëra.
Nexhmije Hoxha iku nga kjo dynja në kapërcyell të një shekulli. Nuk pati fatin e Elena Çausheskut, ndoshta ngaqë dufi ndaj bashkëshortit të saj diktator, nisi e përfundoi me rrëzimin e një përmendoreje bronxi në mes të Tiranës. Ndoshta ngaqë ne shqiptarët, kemi një kujtesë blic apo jemi akoma viktima të “sindromës së Stokholmit”.
Nexhmije Hoxha ndërroi jetë në shtratin e saj, ndryshe nga mijëra individë, eshtrat e të cilëve sot e kësaj dite, nuk gjenden askund. Është e turpshme të pranohet, por iku duke i shpëtuar “drejtësisë njerëzore”. Të gjithë ata që u persekutuan, u shkatërruan nga bashkëshorti, sistemi diktatorial por edhe ajo vetë, mbetet të shpresojnë tek “drejtësia hyjnore”. Nëse i besojmë shkrimeve të shenjta dhe Dantes, vendi i saj është i përcaktuar me kohë: Në ferr!
Nexhmije Hoxha sfidoi deri në sekondat e fundit sistemin në të cilin jetoi 30 vitet e fundit. Ishte e bindur dhe e përhapi këtë frymë, se “socializmi” ishte më i mirë për Shqipërinë e shqiptarët. Tashmë që “hija”e saj duket se nuk frikëson më, duhet që historianët të hulumtojnë, të hapin arkivat dhe të tregojnë me dokumente se kush ishte “vejusha e zezë” për 45 vite komunizëm por edhe 30 vite diktaturë. Edhe pse duhet pranuar, se nuk do të jetë e lehtë. “Klani” e paramendonte largimin e saj nga kjo jetë dhe pa më to voglin dyshim, ka tashmë “pasuesin” në krye të tij. Sepse fatkeqësisht, misioni i Nexhmije Hoxhës vazhdon… /Shënim i ShkodraWeb Media/