ANALIZA – A është “17”- ta më e madhe se “35”- sa në Partinë Demokratike sot…!?

Partia Demokratike përfundoi sot një tjetër Kuvend Kombëtar, i dyti brenda pak muajve, pasues i atij të 11 dhjetor 2022. Teorikisht, me këtë Kuvend përfundon procesi i Rithemelimit, kryefjalë e të cilit edhe sot ishte vota. Praktikisht, sot nis sfida e vertetë për partinë më të madhe të opozitës në këtë vend por edhe ndoshta me arritjet më të rëndësishme në 32 vite për shqiptarët.

Në këtë Kuvend, u morën vendime të rëndësishme që i sherbejnë ristrukturimit, ndërsa gjykoj se dokumenti më i rëndësishëm është rezoluta që u miratua sot. Aty pranohen publikisht shumë gabime të viteve të shkuara por vihen edhe piketa për vijimësinë e kësaj force politike. Të gjithë të interesuarit, nëse nuk e kanë lexuar, mund ta gjejnë duke klikuar këtë link.


Zgjedhja e Këshillit Kombëtar, do të lërë pas pakënaqësi pavarësisht emrave që do të fitojnë. Kështu ka ndodhur në zgjedhjet e zhvilluara në Partinë Demokratike nga 1990 por edhe në të gjitha partitë e tjera, madje edhe ato me një furgon- elektorat. Të apmlifikuara nga mediat apo vetë të pakënaqurit përmes rrjeteve sociale, nuk do të vonojnë reagimet e atyre që nuk u zgjodhën.

Në fakt, Këshilli Kombëtar nuk mund të ecë më tej me zgjedhjen e strukturave. Si rregull, duhej të konstituohej dhe të zgjidhte organet e tjera, mes të cilave edhe Kryesinë. Por kjo e fundit, duhet të formësohet përmes propozimeve të Kryetarit, i cili sot nuk ekziston në PD. Jo rastësisht, kompetencat iu lanë Komisionit të Rithemelimit deri në zgjedhjen e Kryesisë, sepse kjo kërkon propozimet nga kryetari.

Praktikisht, nga sot deri me 22 maj kur do të zgjidhet me “një antar, një votë”, ka nisur gara për Kryetarin e ri të PD- së. Ka pak dyshime se do të jetë Sali berisha, siç edhe nuk është çudi që do të ketë nga ata që do ti vihen përballë në këtë garë absolutisht të pabarabartë. Jo vetëm për shkak të personalitetit të Berishës por edhe për shkak të fushatës që ai e vijon nga shtatori i kaluar, përmes Foltoreve.

Pas mbledhjes së sotme të Kuvendit Kombëtar, zgjedhjes së Këshillit Kombëtar, materializimi i sloganit “më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, do të jetë në dorën e Berishës. Jo se nuk e ka edhe sot, por pas zgjedhjes si kryetar i PD- së, ka edhe mekanizmat institucionalë për ta zbatuar. Ai e ka paralajmëruar se Basha jo vetëm nuk do të përjashtohet, por do të jetë edhe në kryesi. Bashkë me të, me gjasë, të paktën kandidatë për kryesinë e organet e tjera të PD- së, duhet të ketë edhe nga “pala tjetër”.

Por, nuk duhet të jenë thjeshtë dhe vetëm kandidatë. Berisha e ka të lehtë të orientojë trupën e Këshillit Kombëtar, duhet të përdorë pushtetin e karizmën e tij të padiskutueshme, të përfshijë edhe nga “pala tjetër” në organet e PD- së. Ndoshta mund të përballet me injorimin e “palës tjetër” ndaj ftesave apo përfshirjeve, por duhet të hedhë i pari hapin, edhe nëse është jo i suksesshëm. Kryesia dhe organet e tjera, nuk duhet të përfshijnë vetëm ata që kanë kritikuar apo nuk e kanë “për zemër” Bashën dhe “të tijët”. Ky do të ishte sinjali më i fortë dhe i qartë fillimisht për bazën demokrate por edhe për deputetët.

Këta të fundit, qartas e bojkotuan sot Kuvendin e PD- së. 17 deputetë ishin të pranishëm, ndërsa 35 të tjerë qendruan larg. Kjo nuk do të thotë se janë “të Bashës” dhe as kundër Berishës. Me gjasë, presin vendimin e Gjykatës së Apelit pas ankimimit të Alibeajt por edhe ndonjë “sinjal” nga selia diplomatike e pushtetshme në Tiranë që “mund të lëvizin”.

A është “17”- ta më e madhe se “35”- sa në Partinë Demokratike sot…!? Ka komente të ndryshme, madje disa analistë pranë të djathtës e Berishës, e konsiderojnë dështim mosmarrjen pjesë të deputetëve në Kuvend. Përtej kësaj, prova e parë do të jetë mbledhja e Grupit Parlamentar, pasi të zgjidhen nënkryetarët dhe njëri prej tyre që duhet të jetë edhe deputet, duhet të votohet nga kolegët e tij si kryetar. Ky votim do të verifikojë realisht numrat edhe në Grupin Parlamentar të PD- së.

Deputetët janë atomatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar. 22 maji nuk pritet të ndryshojë shumë në qasjen e deputetëve ndaj Berishës, sepse askush nuk e vë në dyshim se do të kurorëzohet kryetar i PD- së. Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar pas zgjedhjes së Berishës, do të tregojë qartë se kush nga deputetët i bashkohet linjës së Berishës ose shumicës së demokratëve, të paktën deri sot. Nëse më shumë se gjysma e deputetëve do të jenë të pranishëm, thuajse automatikisht konfirmohet lidershipi i Berishës në PD, rrjedhimisht edhe në Grupin Parlamentar.

Nga këtu, Berisha dhe PD- ja e drejtuar prej tij, mund të kishin mundësinë të bëheshin edhe pjesë e institucioneve shtetërore, duke nisur nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare të tij. Fillimisht, Berisha do të kthehej në Grupin Parlamentar si deputet i PD- së, duke zbehur pak edhe peshën e “non gratas” në sytë e shumicës parlamentare. Nga ana tjetër, do të ishte “de jure” rivali i kryeministrit Rama, duke nisur nga privilegjet në sallën e Kuvendit, ku pas çdo fjale të shefit të qeverisë, ka të drejtë të përgjigjet edhe kryetari i opozitës. Sigurisht, në hierarkinë e shtetfunksionimit, do të konsiderohej “kryeministër në hije” dhe do të duhej të gëzonte privilegjet, duke nisur nga mbrojtja fizike me Gardën e Republikës. Ashtu siç edhe Basha sa ishte kryetar i PD- së.

Deri këtu, mund të konsiderohet “skenari” normal dhe pozitiv për Berishën. Megjithatë, nuk përjashtohet që Grupi Parlamentar të vijojë të jetë në numrat e sotëm të Kuvendit Kombëtar. Atëherë, Berisha do ta kishte shumë të vështirë të zyrtarizohej apo njihej nga institucionet shtetërore, duke nisur nga Kuvendi, si lider i opozitës. Nuk do të ishte çudi që pavarësisht se i dalë nga Partia Demokratike, Grupi Parlamentar të funksiononte në pavarësi. Praktikisht, si i një partie tjetër.

Nuk përjashtohet që, për të lënë në mishmash opozitën, Gjykata e Apelit ti japë të drejtë Alibeajt në ankimimin e tij. Me gjasë, e gjithë çeshtja do të nisej të shqyrtohej “me nge” nga gjykatat, duke lënë pezull lidershipin ligjor të Partisë Demokratike. Pra, duke njohur Alibeajn si kryetar të komanduar të PD- së, edhe kryetar i Grupit Parlamentar. Duke vepruar kështu, me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme vendore të 2023- it, Berisha të faturojë një humbje, duke “ringjallur” Bashën dhe frymën e tij. Sepse nëse PD- ja nuk futet e bashkuar plotësisht, e mbështetur edhe nga aleatët, vështirë të mundë Ramën vitin që vjen.

Në të dy këto “skenare”, Berisha del i humbur, PD- ja dhe opozita e dobësuar dhe vurnerabël përballë Ramës edhe në zgjedhjet politike të 2025- ës. Në të gjitha rastet, Basha dhe mbështetësit e tij, nuk mund të shkojnë më larg se PDr e Pollos. Sepse nuk është alternativë e pabesueshme që të shkëputet në formën e një partie, një pjesë e Grupit Parlamentar që mbështet Bashën.

A është “17”- ta më e madhe se “35”- sa në Partinë Demokratike sot…!? Matematika e ka dhënë përgjigjen por politika në shumë raste, ka hedhur poshtë edhe numrat, rregullat e funksionimit të tyre. /Nga Blerti DELIJA/