Në kuadër të projektit “Të rizbulojmë malet e Shqipërisë”, që përkrahet nga Ambasada Austriake, në bashkëpunim me Agjensinë Austriake për Zhvillim, në datën 29.09.2017 Ambasada Austriake së bashku me Shoqatën Shqiptare të Alpinizmit organizon një aktivitet në Razëm të Malësisë së Madhe ku synohet të promovohet turizmi malor.
Ky event është i disati në radhë pas atyre në Tiranë dhe Korçë. Ndër të tjera në këto aktivitete, Ambasada synon jo vetëm sensibilizimin e banorëve dhe aktorëve lokalë për turizmin malor, por ka ndërmarrë edhe disa nisma për promovimin e ecjes në mal, si një mjet për të zbuluar natyrën tonë të përbashkët dhe për të mbajtur trupin dhe shpirtin e shëndetshëm.
Aktiviteti do të përshëndetet nga Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Johann Sattler, Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Z. Tonin Marinaj si dhe Presidenti i Federatës së Alpinizmit, Z. Jani Zizo.
Ambasada ka ftuar edhe disa nxënës nga shkollat Austriake e IT-së si dhe aktorë dhe të interesuar lokal ne një ecje në mal duke u nisur nga Natyral Rasma Resort dhe më pas vazhdon me një konferncë të përbashkët rreth turizmit malor dhe shpëtimit malor (Mountain Rescue).
Në mbyllje të aktivitetit do të ofrohet një kokteil nga Ambasada Austriake në Tiranë.
Gjithashtu në implementimin e projektit kanë kontribuar edhe Konsulli i Nderit i Austrise ne Shkoder Gjergj Leqejza, Shoqata Austriakëve e Alpinistëve dhe ajo e Maleve, të cilët do të jenë prezent edhe gjatë aktivitetit të ditës së premte.