Enertila Beqja, 27-vjeçarja që ka mashtruar të dashurin e saj virtual me të cilin fliste vetëm në Facebook, duke i zhvatur 60 mln lekë, ka tentuar të mashtrojë edhe hetuesit, duke deklaruar se është shtatzënë, por analizat kanë treguar të kundërtën.
Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se 27-vjeçarja ka deklaruar se është e fejuar me një djalë nga një fshat tjetër dhe se ishte shtatzënë.
“Nuk mund të më mbani këtu në polici pa dëshirën time, pasi jam shtatzënë dhe pres një fëmijë”, – u ka thënë Enertila Beqja oficerëve të policisë. Ajo u ka thënë hetuesve se orenditë i kishte sjellë në shtëpi i fejuari i saj dhe jo 30-vjeçari Barush Ahmeti.
Ndërkaq, prokuroria kërkoi bërjen e analizave në mënyrë urgjente nga ku rezultoi se 27-vjecarja nuk ishte shtat-zënë.
“Pas nisjes së çështjes penale ndaj saj, të gjitha sendet dhe orenditë shtëpiake (divanet, soba ngrohjes e të gatimit, televizori, frigoriferi etj.) janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga prokurori i çështjes. Orenditë e blera nga 30-vjeçari janë dërguar në magazinat e shtetit, ndërsa në mbyllje të procesit gjyqësor do t’i kalojnë në pronësi Barush Ahmetit”, pohuan burimet nga prokuroria.
Pas kryerjes së analizave, policia vuri në pranga të renë.
“Gazeta Shqiptare” ishte në banesën e Enertila Beqjas. Shtëpia ishte e kyçur, ndërsa prindërit e saj ishin larguar prej aty. Banesa e rikonstruktuar gjatë vitit të fundit kishte mbetur e shkretë. Rrushi i vjelë nga hardhitë ditë më parë ishte lënë në mes të verandës.
Fqinjët u shprehën se çifti Beqja kishte vetëm një vajzë, Enertilën, e cila që pas mbarimit të gjimnazit qëndronte e papunë në shtëpi. Vajza hiqej se ishte fejuar, por të fejuarin nuk ia kishte parë asnjë njeri.
Familja treanëtarëshe nuk komunikonte pothuajse me të gjithë banorët e lagjes. Ata nuk flisnin me komshinjtë, ndërsa këta të fundit thanë se ishin trembur mjaft kur kishin parë policinë në derën e shtëpisë së familjes Beqja, e cila u kishte sekuestruar orenditë e shtëpisë.
Lajmi për arrestimin e vajzës kishte marrë dhenë në fshat e jo vetëm, ndërsa të gjithë banorët thanë se vajza qëndronte e tërhequr dhe nuk linte shkas për biseda me ta.
Por si shprehen fqinjët?
“Tila (Enertila) njihet për vajzë e urtë. U habitëm kur pamë që e mori policia. Nuk kishim kuptuar asnjë gjë deri në momentin që lajmi u bë publik në media. Kishim konstatuar se diçka nuk shkonte, por ajo thoshte që ishte fejuar dhe mendonim se ndryshimi ekonomik kishte të bënte me të fejuarin. Ne i njohim mirë, pasi kemi vite komshinj. Ata janë një familje e varfër. Kishin vetëm dy dhoma para dy vitesh dhe dy vitet e fundit shtuan edhe dy dhoma të tjera, duke ngritur një shtëpi të këndshme. Tila nuk para dilte nga shtëpia, më shumë rrinte e mbyllur. Kishim parë që veshjet e saj kishin ndryshuar, por mendonim se ia dërgonte i fejuari nga emigrimi. Na kishte thënë që ishte fejuar me një djalë, po s’kishim parë asnjë njeri të vinte në shtëpinë e tyre. Nuk dimë çfarë të themi, kemi mbetur të shokuar nga kjo ngjarje, pasi nuk e njohim për të tillë”
Enertila Beqja ka deklaruar se nuk kishte qenë qëllimi për ta zhvatur 30- vjeçarin, por nuk mund t’i dilte në takim pasi ai mund të zhgënjehej nga pamja e saj. Ajo ka pohuar se i dashuri i saj virtual mendonte se në foton e profilit ishte pikërisht ajo, ndërkohë që 27- vjeçarja fshihej pas bukurisë së një aktoreje venezueliane.
Pas arrestimit, ajo ka treguar me detaje historinë, duke u shprehur se fillimisht ka pasur qëllime të lidhej me djalin, por gënjeshtra me fotografinë ka bërë që ajo të mos merrte guximin për ta takuar përballë, e bindur se ai do të zhgënjehej dhe do ta braktiste.