“Ai që mund të më gjykojë e dënojë është vetëm Mark Zuckerberg”, Evi Kokalari e paditi për shpifje, reagon publicisti i njohur

Nga Kolec P. TRABOINI
Publicist, shkrimtar, kineast

Në gjyq shteti duhet të dërgonte ty Evi Kokalari, por meqë kjo nuk ndodh , ti del e buçet si hajduti kapeni hajdutin. Sepse e nderuar, tubimet politike në Pandemi janë krim kundër jetës së njeriut. Dua të kujtoj se bashkë nuk jemi të panjohur. Kemi debatuar në internet në listat shqiptare para 20 vjetëve për qëndrimet e tua shpesh ekstreme në lidhje me problemet që ekzistonin në Shqipëri.


Mirëpo, pasi që u përhumbe në Amerikë me punët e tua personale, për të cilat nuk kemi të drejtë të flasim, na u shfaqe në Shqipëri duke i prirë fushatës kinse për dinjitet e sovranitet të partisë, lëvizje banale që e ka inicuar “Non Grati” e krahthati Sali Berisha. Është e natyrshme që të ketë njerëz në këtë popull shqiptar të cilët nuk e pëlqejnë këtë inkursion i cili është thjeshtë një revansh për të kapur kreun e Partisë Demokratike. Por çfarë po dëgjojmë e lexojmë prej teje është për të vënë duar në kokë.

Sikur ti nuk vjen nga Amerika, por nga ndonjë hapësirë ku ende mungojnë disa rregulla të kulturës së komunikimit. Ja se si më 2 shtator 2021 jepet lajmi për ju, madje duke cituar statuset e tua plot gabime gramatikore: “Mëngjesin e sotëm Kokalari, në një postim në rrjetet sociale, ka paralajmëruar “spastrimin e monstrave”.“Një gjë është e qartë – këtë javë kam qënë një katalizues fantastik i elementëve më vullgar, antipatik, gënjeshtar dhe inatçinj që mbart shoqëria Shqiptare, brenda & jashtë vendit. Tashmë monstrat kanë emër. Le të filloj spastrimi!”-shkruan Evi Kokalari në postimin e saj.”

Ndërkohë, simbas dhënësve të lajmeve nga shtabi Evi-Sali mësohet se aktivistja Kokalari ka filluar lëvizjet për atë që ajo paralajmëroi “spastrimin e monstrave”, duke paditur në gjykatë për shpifje një portal mediatik, si dhe shtetasit Ilir Demalia, Dritan Demiraj, Frrok Çupi dhe Kolec Traboini.” Pra paske përmendur emrin tim. Me ke kërcënuar publikisht se do të më hedhesh në gjyq. Mirëpo për dijeninë tënde po të kujtoj se unë, nuk kam botuar në asnjë gazetë, nuk kam dërguar në asnjë media të shkruar, nuk kam folur në asnjë Media televizive e radio për personin tuaj që ka ardhur nga Amerika e tund këmborën e madhe sikur ju me Sali Berishën “do të spastroni monstrat”, kur monstrat e vërteta po na i pastron ajo që falë Zotit që ekziston, Amerika.

Po kë quan monstër moj zonja Angelakis? A ka vepër më monstruoze që bën ti, t’i sjellësh serish në pushtet atë që Amerika e cilëson “Non Grata” për shkak të korrupsionit kur ishte në krye të Qeverisë. Kujt i flet me atë gjuhë rrugësh, zonja Evi Kokalari-Angelakis?! Flet, por a e di me kë flet? Apo të gjithë të duken njësoj nga tribuna e “Non Gratit” e krahthatit Sali Berisha? Po të kujtoj se mbase të duhen për akt-akuzë: Jam Kolec Traboini, një kontribues i zhvillimeve demokratike në vitin 1990 kur Dr. Berisha u katapultua në krye të asaj lëvizje që u përqendrua në duart e tij dhe u manipulua nga ish kuadrot komuniste të PPSH. Mëso për mitingun e 10 janarit 1991 në Tiranë, i organizuar prej meje, gjithashtu lexo gazetën RD nr.3 , 17 janar 1991 ku unë shkruaja e kërkoja të hiqej ylli komunist nga flamuri.

Saliu yt atbotë hante petlla me Ramiz Alinë. Unë nuk jam monstër zonja Evi Kokalari – Angelakis, jam themelues i një gazete shqiptare në Athinë “Egnatia/Emigranti” në vitin 1993, jam një kontribues në shtypin e komunitetit shqiptar të Amerikës, jam autor i filmit “Djaloshi me kitare” për të ekzekutuarit në Spaç nga komunizmi dhe autor i 40 librave. I vetmi libër satirk i imi, “Rapsodi ushtorë” 1995, i kushtohet i gjithë Bali Kreshnikut, për të cilin ti je shkulur nga Amerika dhe po tundesh e shkundesh në Shqipëri. Aty ai është në qendër të një grotesku politik. Por ai do te vazhdonte me një aventurë tragjike në 1997. Të mos bëjmë histori se do të duhej të flisnim për Gërdecin, për Kostë Trebickën e Sokol Olldashin.

E kam thënë dhe e them se mua nuk me intereson se kush je ti zonja Kokalari-Angelaki, por se çfarë mendimesh e qëllimesh ke që na erdhe në mes të Pandemisë, duke bërë një vepër antihumane, me pasojë edhe vdekjen e njerëzve, me këto tubime prej teje e Sali Berishës nëpër salla të mbyllura ku pjesëmarrësit infektojnë njeri-tjetrin me virusin vdekje prurës. 15 të vdekur në ditë në këtë kohë kur ju tuboheni me një babëzi politike karieriste ku fryhet e shfryhet brohori si në kohën e asaj që nuk thuhet. Si të le ndërgjegjja të veprosh kështu?! Dhe për ta mbyllur zonja Kolalari-Angelaki, jam bërë qytetar amerikan para se ti të vije në Amerikë.

Por jetoj thjeshtësisht e nuk të shkruaj nga yahti siç ti i pozon nëpër faqe interneti. Nuk ka gjykatë në botë të më ndalojë të flas në shtëpinë time dhe si autor të bëj humor me politikanët të çdo rrangu qofshin, me fustan a me tiranda. Se ata rrojnë me paratë e popullit. Faqja ime private në Facebook, po te kujtoj, nuk është në juridiksion gjykatash. Facebuku është faqe personale në një kompani private dhe ai që mund të më gjykojë e dënojë është vetëm Mark Zuckerberg. Megjithatë e pres me kënaqësi gjyqin sepse do të më jap material jetësor e frymëzim për të krijuar librin tim të 41, një tjetër grotesk për Bali Kreshnikun e Arnautstanit dhe Kojrrilën e tij amerikane. /Publikuar në Facebook/