
Sa zgjohem dhe shoh se koleget dhe miqtë tanë të kanë ba të gjitha nderet me fjalë zemre. Ma e pakta që mund të bajmë për ty në fakt. Nuk du me të çu në qiell me fjalë. Jo. Tashma ti shkove atje. Nuk ke nevoje për elozhe.
Du sot vetëm me të kujtu. Ashtu, thjeshtë si vetë e përditshmja jote. Ej, Dush. Dje fola me Gysin. Sa gjatë e me detaje më tregoi për ato që paskan ken orët e fundit tuajat. Në fund, a din ça i thashe?
– Shko Gys e thuaji, mos na e çaj kryt e lëviz vendit prej atij krevat se po të presim.
– Mos ke merak se ia kam thanë. Po të presim gru, por jepi vedit.
Në fakt ti vedit i ke dhanë gjithmonë. Ke përballu shumë e ke ec përpara me kurajo si askush tjetër në këtë botë. Kishe miq shumë Dush. Miq që të deshën tamam. Me zemer. Sot asht vështirë me gjet një të dytë që ta duan të gjithë. Dikujt edhe ia prish qejfin. Por ti jo. Motër e nanë për të gjithë. Sa breza gazetarësh kalove nepër duar, pash Zotin.
E nise me ne, dhe vazhdove duke rrit profesionalisht një pjesë të madhe të atyre që sot bajnë “ajkën” e gazetarisë në Shkodër. Pak shumë mund ta dijnë që edhe para disa ditësh nise një projekt, që paska ken i fundit.
Dush, tash po të la rehat, në udhetimin tand të fundit. Ndoshta pak e ke dashtë edhe vetë këtë udhetim, me gjet atje njerezit e tu ma të dashtun.
Një nanë e një babë, loçkat tuaja, por edhe dashninë e jetës tande, që të iku shumë shpejt dhe që e ruajte të paprekur në kujtimet tuaja për shumë vite.
Bashkoju atyre Dush. Kanë me dit se si me ta ba vendin që meriton. Shpresoj me të pa një ditë, e me kujtu ato vitet kur Shkodra informohej nga “burimet” e Anila Dushit.
Të puthi prej larg! /Nga Taulant KOPLIKU/