Familjarë, të afërm, miq, të njohur e personalitete të sferave të ndryshme i kanë dhënë lamtumirën e fundit Isa Alibalit, i njohur në Shkodër e më gjërë si një nga intelektualët më të shquar. Homazhet në nderim të tij, u bënë në hollin e Teatrit “Migjeni”, drejtor i të cilit Isa Alibali ishte më shumë se një dekadë. Dhjetra kurora dhe buqeta me lule mbuluan arkëmortin e tij, në shenjë respekti dhe dhimbje për ikjen e tij. Homazhet kanë nisur në orën 10.00 dhe kanë përfunduar në orën 13.00, kur arkëmorti me trupin e Alibalit u nis drejt banesës së fundit.
Më herët, shkrimtari i njohur Fadil Kraja ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka folur për dimensionet e shumta të Isa Alibalit si shkrimtar, drejtues i institucioneve të artit dhe si edukues i brezit të ri. Madje, Kraja e ka cilësuar Alibalin si dokumentuesin më të madh të vlerave të artit në Shkodër.
Isa Alibali u nda papritur nga jeta në moshën 78- vjeçare, por siç tha edhe Fadil Kraja ai do të vazhdojë të jetë i pranishëm me veprën e tij. Pavarësisht se vitet e fundit jetonte në Tiranë, Isa Alibali i mbylli sytë në Shkodrën e tij që e donte aq shumë, ku dhe do të prehet tashmë përjetësisht.