Sekretari Blinken ka përfunduar vizitën disa orëshe në Tiranë. Nga 1990- a, vizitat e sekretarëve të shtetit të SHBA- aë, janë konsideruar të një rëndësie të veçantë, përveç vizitës së presidentit George W. Bush që mbetet unikale në historinë tonë. Janë vetëm 6 sekretarë shteti që kanë vizituar vendin tonë në këto 33 vite demokraci, ndërsa ndikimi i SHBA- ve nga viti në vit është rritur.
Për herë të parë në këtë vizitë, pas 5 vizitave të paraardhësve të tij, Blinken anashkaloi Kuvendin por edhe opozitën. Megjithatë, ai gjeti kohë të takojë ministrin e jashtë, kryebashkiakun e Tiranës, një grup studentesh dhe natyrisht, kryeministrin Rama dhe presidentin Begaj. Në minutat e fundit, para nisjen në Gjermani, Blinken anuloi një takim me përfaqësues të shoqërisë civile teksa takoi edhe përfaqësues të “drejtësisë së re” në vend.
Anashkalimi i Kuvendit është i kuptueshëm, ditur edhe atmosferën aspak të këndshme që krijohet në seanca plenare, ku mbase Blinken do të mbante një fjalë rasti. Edhe për arsye sigurie, me gjasë Blinken nuk ka preferuar ti drejtohet parlamentit shqiptar. Nga ana tjetër, dhe ndodh për herë të parë në vizitat e një sekretari shteti, nuk ka asnjë kontakt me opozitën. Me asnjërin fragment ë opozitës dhe as dy PD- të, atë zyrtare dhe Rithemelimin.
Ishte e kuptueshme se Rithemelimi nuk do të përfillej. Firma e sekretarit Blinken shpalli “non grata” Sali Berishën, aktualisht në arrest shtëpie. Pavarësisht se vizitoi SHBA- të javët e fundit, as takimi me Gazment Bardhin si shefi i Grupit Parlamentar të PD- së, nuk mund të mendohej. Aq më shumë kur ditën e fundit, zyrtarisht Bardhi i është bashkuar Rithemelimit dhe ka njohur Berishën si kryetar të PD- së.
Lulzim Basha dhe PD- ja e tij, mesa duket ishte “e padukshme” në horizontin e sekretarit Blinken. Me gjasë, e konsideron të parëndësishëm këtë segment në politikën shqiptare dhe nuk zgjodhi të takojë as Bashën dhe as Jorida Tabakun, e cila po amplifikohet si “kryeministre në hije” në këtë krah të PD- së. Blinken dha mesazhin e qartë publik jo vetëm të partnerëve të SHBA- së në Tiranë por edhe për mosekzistencën e opozitës në këtë vend. /Shënim i ShkodraWeb/