Nga Bepin KOLVATA, gazetar
Audicionet e një formati televiziv të zhvilluara në mjediset e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës sollën një valë irritimi dhe kritikash në rrjetet sociale për “dhunimin” që ju bë tempullit të artit e kulturës në kryeqendrën e Veriut. E bënë ata që ja kanë shkelur shkallët por edhe ata që ende nuk ja dijnë derën, për kanë dëgjuar e parë nga larg për të.
Natyrshëm askush nuk u ndje mirë, as unë që puna më ka lidhur më fort me këtë teatër, edhe pse që femije jam rritur me artistët e mrekullueshëm të qytetit, ndërsa i shihja si spektator komeditë, dramat apo spektaklet. Ajo masë “injorance” që shfaqej në imazhet e bëra publike fatkeqësisht është realitet i shoqerisë që jetojmë, produkt i medias (fatkeqësisht tek të cilat punojmë dhe secili prej nesh ka pjesën e vet të fajit), produkt i mungesës së formimit si duhet në familje, shkollë etj etj etj …
“Për’puthen” unë s’ i kam parë asnjë puntatë dhe nuk kam ndërmend t’ ja shoh as në të ardhmen, sepse ja di mirë nivelin që shfaqin të tilla formate. Ndërsa teatrin do të vazhdoj ta frekuentoj sa herë të ketë shfaqje të mira apo edhe jo aq të arrira, sepse në fund të ditës janë produkt i punës së disa njerëzve që kanë shpenzuar nga vitet e tyre të jetës të shkollohen, punojnë me javë e muaj për të sjellë një produkt, shpesh edhe në kushte tejet të vështira.
Nuk është faji i teatrit që i hapi dyert, ajo është salla e vetme që fatkeqësisht ka Shkodra. Mund të ishte ndaluar, por asgjë nuk do të ndryshonte në degradimin që po merr brezi i ri. Madje mendoj që bëri mirë që i pranoi, për të na dhënë një mësim, që atë brez duhet ta dërgojmë më shpesh në teatër që së pari të mesojnë si hyhet e shijohet një shfaqje, e ti lëmë më larg të tilla formateve degjeneruese që nuk prodhojnë asgjë, veç klikime e fame të rreme.
Gurët hidhini aty ku duhet, e nëse ndonjë gur i duhet edhe teatrit, po hidhjani, por pasi ta keni bërë këtë gjë më shkaktaret e vërtetë të kësaj katrahure që na shfaqet kudo. Do ta mirëkuptoja një irritim kaq të madh nëse do të vinte më herët edhe kur teatri gati sa nuk merrte flakë nga rrjeti elektrik i amortizuar, për pagat e artistëve që janë ende qesharake, kur tymi i qebabeve e muzika tallava rrethonin këtë tempull, apo shumë e shumë dukuri që duan rreshta të tërë ti rendisësh.
Duajeni e mbrojeni teatrin sepse të paktën Shkodra e ka një të tillë, e mes vështiresive arrin të na dhurojë gjëra të bukura. /Publikuar në Facebook/