Mirë se të gjeta qyteti jem,
me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave, strehë t’qindisuna me hej malli, gjethnaja t’bame zhubël si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh, hapa të stërpikun me sekrete rrugicash, çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash, gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash, frymë stërgjyshash të ngujuem ndër korniza.
Mirë se të gjeta qyteti jem…
M’gjegjet veç nji bubullimë që shkapetë dritaret e harrueme çilë, teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme. S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem, anipse shinat s’prajnë tue ia njomë buzët e zhurituna prej mallit. Litarët e shiut e përkundin prajshëm në shajninë e rrugicave e qyteti miklohet si mica afër votrës.
S’di pse askush s’e ven re avullin e mbas shiut kur ngutet me rrokë shtëllungat e rrezeve që thithin t’ etuna gjokset e tjegullave. Nën hatlla përplasin krahët pëllumbat, që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë, kurse mbi tehe pullazesh shëtisin mirazhe andrrash që përqafen tasheparë me tymin e oxhakëve vetmitarë.
Nata ka me shprazë prap shi e refreni i qytetit ka me nisë sparit… /Nga Rozafa SHPUZA/