Me 11 shtor 2020, u njoftua se Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte hapur tenderin për rikualifikimin urban të hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe Parkut për pushuesit. Fondi limit ishte 189 milionë e 166 mijë lekë. Ndërkohë, pa umbushur muaji, mësohet se ky tender shumë i rëndësishëm për qytetin e Shkodrës, është anuluar.
Shkak mesa duket, ka qenë ndërthurja e projektit të ByPass- it, Loti 2 me projektin e hyrjes së Shkodrës, që FSHZH dhe ARRSH nuk e kishin parashikuar. FSHZH është nxituar ose është nxituar nga kryeministri Edi Rama, i cili foli për projektin e hyrjes së Shkodrës në një inspektim të punimeve të ByPass-it në zonën ku punimet janë të dukshme. Anulimi i tenderit, shoqërohet edhe me një problem tjetër jo të vogël, teksa duket se akoma nuk ka një projekt për Lotin 2 të Bypass- it.
Megjithatë lajmi i mirë duket se është ulja në tryezën e diskutimeve e Bashkisë Shkodër, FSHZH- së dhe ARRSH- së. Kjo bëhet e ditur nga vetë kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.
“Ndërkohë që është shpallur njoftimi për tenderimin e investimit “Rikualifikimi urban i hyrjes së qytetit Shkodër dhe parkut për pushuesit”, me kërkesë të ARRSH , FSHZH ka anuluar procedurën që shënon edhe nisjen e këtij investimi të rëndësishëm për Shkodrën.
Të ndodhur përballë kësaj situate, kam kërkuar një takim urgjent mes institucioneve, ndërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Shkodër, me kërkesën për një bashkëpunim dhe koordinim të detyrueshëm ndërmjet institucioneve.
Sot është rasti që në këtë projekt, ashtu siç shkodranët e kanë ripërsëritur shpesh herë, t’ ia kthejmë liqenin qytetit, në mënyrë që kjo zonë të jetë e aksesueshme, jo të lihet në harresë dhe në gjëndje të degraduar.
Bashkia Shkodër ka paraqitur në këtë takim të gjitha kërkesat e shkodranëve lidhur me ndryshimet e detyrueshme të projektit “Ndërtimi i ByPass- it Perëndimor Shkodër- Loti i II- të”, si një kërkesë e vazhdueshme e tyre, dhe domosdoshmërinë e harmonizimit me projektin “Rikualifikimi urban i hyrjes së qytetit Shkodër dhe parkut për pushuesit”, buzë liqenit të Shkodrës.
Shkodranët meritojnë një park dinjitoz në hyrje të qytetit.“, shkruan Ademi, e cila publikon edhe disa foto nga takimi i zhvilluar me përfaqësues ë FSHZH- së dhe ARRSH -së.
Projekti i hartuar nga Bashkia e Shkodrës është mjaft kompleks, duke ofruar zgjidhje optimale jo vetëm për hyrjen e Shkodrës por edhe për Bunn e Liqenin e Shkodrës, duke krijuar një park edhe për shlodhjen e argëtimin e shkodranëve.
Vendodhja e zonës së projektit është pjesa hyrëse e qytetit të Shkodrës, në zonën e ish- Pazarit të vjetër të qytetit (Bexhisteni). Kjo është aktualisht një zonë e lenë në harresë e cila shërben në mënyrë të pjesshme si hapësirë publike për qytetaret.
Aktualisht në zonë gjendet shëtitorja e Molos e cila frekuentohet masivisht nga qytetarët si e vetmja pjesë buzë lumit të Bunës që lag qytetin. Zona ndodhet në një pozicion strategjik ku ndodhet në të njëjtin vend ura e Bunës, Kalaja e Rozafës, aty bashkohet lumi me liqenin e Shkodrës.
Veç rikonstruksionit të rrugës hyrëse në qytet dhe zgjerimit të saj, propozohet krijimi i 2 shesheve të grumbullimit në njërin prej të cilëve është i integruar edhe një amfiteatër i hapur me kapacitet 200 vende në funksion të pushuesve. Gjurmët e objekteve të ish Pazarit të vjetër përkthehen në shtrim duke ofruar hapësira pushimi, kënde lojërash për fëmijë, kënde për lojëra tavoline, kënde leximi etj.
Propozohen gjithashtu në pjesën veriore një hapësire parkimi për automjetet e cila lidhet me shëtitoren aktuale të Molos si dhe hapësira sportive me të gjitha facilitetet nën shëtitoren e Molos në të majtë të saj. Propozohet gjithashtu edhe ringritja e portave hyrëse të Bexhistenit të vjetër duke krjuar dy sheshe të vogla në të dy anet e rruges automobilistike hyrëse të qytetit.
Në rrugën hyrëse të qytetit propozohet të ndërhyhet në rikualifikimin e trotuareve dhe trafikndarësit. Shtimi i gjelbërimit dhe mbajtja e trotuareve në të njëjtën kuotë në të gjithë gjatësinë është domosdoshmëri.
Në pjesën e djathtë të rrugës propozohet zëvendësimi i gardheve me mur të ri rrethues. Gjithashtu propozohet sistem i ri i rinovuar i ndriçimit të rrugës. Në pjesën e trafikndarësit do të hiqen vazot aktuale dhe i gjithë trafikndarësi do të kthehet një rrip të gjelbëruar me bimë të ulëta dekorative shumëngjyrëshe. /ShkodraWeb Media/