Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë raportuar për të dytën ditë radhazi vetëm një jetë të humbur nga korona virusi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Spanjë kanë ndërruar jetë vetëm 38 persona në javën e fundit. Ndërkohë, edhe rastet e reja kanë pasuar rënie, pasi në 24 orët e fundit ishin vetëm 182 persona, ndërsa një ditë më parë ishin 231. Shumica e të infektuarve të rinj janë në Madrid dhe në Katalonjë.
Që nga fillimi i pandemisë, në Spanjë kanë ndërruar jetë 27,119, ndërsa numri total i të infektuarve me Covid-19 është 237,906 persona.
Edhe në Itali, numri i jetëve të humbura u ul në 24 orët e fundit. Emergjencat Civile raportojnë se në ditën e fundit u regjistruan vetëm 70 jetë të humbura nga Covid-19, krahasuar me 117 që ishin një ditë më parë. Deri në këto momente, që nga fillimi i pandemisë në vendin fqinj kanë humbur jetën 33,142 persona.