Jemi mësuar të mos i vlerësojmë gjërat,ashtu siç janë e të gjejmë të bukurën aty te gjërat e thjeshta. Kur ecja lirshëm nëpër rrugicat tua ,shfryja gjithë dufin që më jepte jeta moderne duke vrapuar për të arritur sa më shumë. Kam ecur me vrapin e një njëzet e pesë vjeçareje, gjithë hovin e rinisë derdhur përmes hapave në baltën tënde. Isha aty kur të pushtoi uji, kur thashë se ky qytet nuk bëhet e nuk do bëhet kurrë, falmë!
Isha aty kur themelet t’u shkundën, kur u rrëzove, u shembe, isha me ty me shpresen se po ringrihesh stoik në fillim të marsit… Lërmë të shpresoj! Jam edhe sot, në një tjetër vështrim, detyrimisht sot të shoh të largët dhe të afërt njëkohësisht. Të prekshëm dhe të paprekshëm.
Sot të shoh me syrin që nuk të kam parë kurrë më parë,të shoh me gjithë dashurinë që mund t’i falet tokës amë. Falmë që nuk e bëra më herët,por edhe nëse do e bëja do më mungoje shumë më shumë se aq. Se pa të admiruar edhe aq po e ndjej mungesën e ecejakjeve të qytetarëve, zhurmave të makinave, zërave të fëmijëve, etj.
Unë nuk të paskam vlerësuar, falmë!
Ti më kishe dhënë më të bukurën e të përbotshmin nocion,më kishe dhuruar lirinë. Sot po të shoh prej së largu se si po të vesh pranvera me ngjyra të bukura, e rrezet e diellit derdhen mbi ty… Sot më mungon mali i mbushur me pelegrinë, ngjitur mbi rrugën ku shpresat ndizen. Tanimë lutemi për ty, për njëri-tjetrin,për dëshirën e madhe për të dalë lirshëm në rrugët e tua.
Këto ditë qetësie po shërbejnë si reflektim i atyre gjërave të bëra gabim kur kishim gjithë fuqinë për të vepruar lirisht. Karantina shërbeu si model nxitje për të dashur ty me gjithë mangësitë e tua. Lërmë të shpresoj se në një të afërme të afërt do përqafohemi të gjithë shëndetplotë, aty në zemrën tënde… /Nga Elsa SULA/