Më vjen mirë që ne shqiptarët treguam mirënjohjen, solidaritetin, humanizmin, dashurinë, mbështetjen për jetët njerëzore kudo qofshin ato! Sot e kishte radhën Italia, të cilës veç lutjeve të dala prej shpirti e zemre i dhamë një ndihmë mbi të gjitha humane! A duhet të përgëzoj apo falenderoj dikë?! Po, shqiptarët dhe traditat e tyre që të mesjetës. Janë ato tradita e zakone të cilat gërricin ndërgjegjen njerëzore dhe na “detyrojnë” të bëjmë vepra të mira, si kjo!
Jemi ne shqiptarët, që presim e përcjellim të njohur e të panjohur, cilindo ka zënë nata jashtë, me nderime si të mbretit. Jemi po ne shqiptarët, që japim besë, fjalë e siguri për këdo na e kërkon dhe i përgjigjemi me jetë. Po, ne jemi shqiparët, ata me bukë e kripë e zemër të bardhë! Me sofër në mes të shtëpisë, rroba të rreckosura, enë prej balte e duar të vrara nga punët e rënda! Jemi ne shqiptarët e një barre dru në shpatullat e një gruaje, e një are punuar me bel/shat në pisk të diellit! Jemi ne shqiptarët e grave të konvertuara në burrnesha për të mbajtur gjallë emrin e nderin e familjes. Jemi shqiptarët e Skëndërbeut dhe Shën Nënë Terezës! Shqiptarët dhe shqiptaria janë përtej politkës, kufinjve, karantinimit, përbuzjeve e ofendimeve që na keni sulur prej shekujsh!
Po, ne jemi ata “të pa gdhendurit”, por me zemër e mendje të bardhë, me bujari të pa shtershme e tradita të forta! Ne jemi shqiptarët , ata që nuk i tremben pushkës, luftës, armikut, gjakut, hakut e plot të tjera për të cilat bota na konsideron të prapambetur. Por sot, ne shqiptarët i dhamë një shuplakë botës. Edhe pse keni tentuar të na pini gjakun, ju treguam që askush dhe asgjë nuk braktiset dhe i kthehet shpina në momente të vështira. As kur na rrezikohet jeta, ne nuk i mbyllim dot sytë dhe veshët, nuk na lë ndërgjegja e shqiptarit.
Sot, bota duhet të mësojë nga Shqipëria, shqiptarët dhe zakonet e tyre sepse sot të gjithë jemi me Italinë dhe do të jemi me këdo ka nevojë, pavarësisht kufinjve, ngjyrave të flamurit, rracave apo poshtërimeve dhe krimeve të ndyra që keni kryer kundrejt popullit e këtij vendi të shenjtë. Ne nuk mbajmë inate dhe as ju kemi zili. Sot ne shqiptarët jemi të pastër përpara jush dhe përpara zotit! Nuk na interesojnë politikat as karriget tuaja kur nuk jeni HUMANË! Më vjen mirë që për popullin e vendin tim po çoj ndërmend fjalët e vyera: “Jam mësuar të jap, jo se kam shumë, por se e di çfarë do të thotë të mos kesh”! Itali, ti do t’ia dalësh, të gjithë do t’ia dalim! Zoti shikon e gjykon zemrat! /Nga Era DUSHI/