NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

OPINION – Epidemia po “kap” shtetin, vëmendja tek agjensitë ligjzbatuese e sidomos tek burgjet…

Prokuroria e Shkodrës, Urgjenca Kombëtare, Kadastra e Korçës dhe Dega e Thesarit të Fierit janë vetëm disa nga institucionet shtetërore që janë prekur tashmë nga epidemia e virusit. Situata mund të precipitojë edhe më shumë, duke rrezikuar të fusë në kolaps funksionimin normal të strukturës shtetërore në Shqipëri.

Ndërsa vëmendja duket se është drejtuar tek qytetarët, të cilëve u kërkohet me ngulm dhe të drejtë të qëndrojnë në shtëpi, virusi po shfaqet në zyrat e shtetit shqiptar.


Është vetëm fillimi, por nëse do të ketë vijimësi, mund të ketë edhe një kolaps të papritur në institucione. Kjo, sepse me marrjen e përgjigjes së testit si pozitiv, janë të detyruar të vetizolohen për të paktën 14 ditë jo vetëm një person, por të gjithë ata që kanë patur kontakt me të.

Në këto kushte, imperativ kryesor është marrja e masave mbrojtëse ekstreme për punonjësit e shtetit, sidomos ata të agjencive ligjzbatuese por edhe të shërbimit në nivel kombëtar e lokal. Pajisja me maska, doreza por edhe testimi shpeshtë i tyre, duhet të jetë prioritet. Duhet të kujtohemi tani që ka dhënë shenjat e e para të sulmit ndaj institucioneve shtetërore sepse më vonë mund të jetë e paefektshme çdo ndërhyrje. Po ashtu, duhet patur kujdes situata në burgje, ku nisma e lirimit të përkohshëm të të burgosurve sipas disa kritereve, duhet përshëndetur por për ata që mbesin brenda duhet kujdes dyfish. Në internet qarkullojnë video ku individë të infektuar, me të gjitha mënyra dhe në mjete transporti publik, e përhapin me dëshirë virusin. Nuk përjashtohet mundësia që, për të arritur tek liria e tyre, individë brenda burgjeve mund të bëjnë të njëjtën gjë. Atëherë do të ishim përballë një katastrofe të mirëfilltë, brenda e jashtë burgjeve.

Duket si e paimagjinueshme, por duhet patur parasysh se çdo gjë që lidhet me virusin korona dhe pasojat e lidhura me të, janë të paparashikueshme. Epidemia mund të marrë jetë njerëzish, mund të nxitë ngujimin mijëra njerëzve por rënia e shtetit do të ishte e papranueshme. /Shënim i ShkodraWeb Media/

Copyright © ShkodraWeb Media ׀׀ Të gjitha materialet tona mund të përdoren lirisht nga mediat e tjera por duke përmendur burimin se nga është marrë informacioni.
Për t’u abonuar në kanalin tone në YouTube ShkodraWeb TV mjafton të klikoni: SUBSCRIBE dhe do të informoheni me lajme me video por dhe argëtoheni pa fund me humor të zgjedhur! Për të marrë njoftime për video të reja, ABONOHU tani!