25 vjetori i kalimit në amëshim dhe 6 vjet nga shenjtërimi, Selia e Shenjtë përkujton Nënë Terezën në një monedhë

Selia e Shenjtë ka vendosur të nderojë në mënyrën më të veçantë shenjtoren shqiptare Nënë Tereza. Vatikani do të hedh në qarkullim një monedhë 2 euroshe me portretin e shenjtores për 6-vjetorin e shenjtërimit të saj dhe 25-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Nënë Tereza e Kalkutës është dekori në anën e pasme të monedhës së dizenjuar nga artistja italiane Orietta Rossi. Në dekor duket shenjtorja shqiptare duke mbajtur një fëmijë në krah ndërsa në shkrim përcaktohet si Nënë Tereza e Kalkutës, në nder të shërbimit të saj në qytetin indian.


Por kjo nuk është monedha e vetme që pritet të hidhet në qarkullim me portretin e Nënë Terezës, pasi që prej vitit 2010 një monedhë indiane prej 5 rupish ndodhet në qarkullim.

Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në vitin 1910 në Shkup të Maqedonisë së Veriut nga prindër shqiptarë, ajo u bë misionare e Kishës Katolike, për të cilën shërbeu gjatë gjithë jetës së saj, jetë të cilën ia kushtoi të varfërve dhe nevojtarëve.

Nënë Tereza u nda nga jeta në vitin 1997 në Kalkuta, ku dhe prehet trupi i saj.