Reforma në administratë pritet të prekë një numër ende të pacaktuar punonjësish. Por, ndërsa nuk dihet se kush do të largohet, zv/kryeministrja Senida Mesi tregoi një nga kriteret që duhet të plotësojnë ata që do të qëndrojnë.
“Përfitoj nga rasti që të siguroj çdo nëpunës të administratës, të cilët me korrektësi dhe profesionalizëm kryejnë detyrën kundrejt qytetarëve, se qeveria është e angazhuar për t’i mbështetur dhe promovuar më tej ata. Në të njëjtën kohë, ne do të modernizojmë shërbimet, lehtësojmë punën e tyre dhe do të ulim burokracinë për qytetarët tanë në të gjitha pikat ku shteti u shërben atyre”.
Reforma e administratës mori vlerësime në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, por, sipas përfaqësuesve të Bashkimit Europian, kërkohet ende më shumë qartësi me gjithë ndryshimet thelbësore që janë bërë.
“Kemi një kohë të madhe për të parë se cilat kanë qenë zhvillimet në vend. Ka një sërë angazhimesh dhe politikash si riorganizimi i administratës, që mund të ndikojë reformën e administratës. Duhet më shumë qartësi. Ne kemi parë ndryshime thelbësore deri tani”.
Reformimi i administratës publike është një nga 5 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe ajo do të mbikqyret nga një grup i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian.