Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbërriti sot në orën 10:00 në Tiranë, në të parën vizitë të tij jashtë shtetit që prej marrjes së detyrës. Ai u prit sot me anë të një ceremonie zyrtare në Kryeministri nga kryeministri i vendit Edi Rama.
AXHENDA E PLOTE
Dje zyra e shtypit në Kryeministri zbardhi axhendën e takimeve të z. Haradinaj gjatë qëndrimit të tij sot në kryeqytet.
Kështu, në orën 10:00, është parashikuar ceremonia ushtarake e mirëseardhjes, që do të organizohet në Pallatin e Brigadave. Më pas axhenda do të vijojë me takimin e dy kryeministrave, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, dhe delegacionet e të dy vendeve.
Ndërkohë, në orën 11:00 do të zhvillohet takimi inaugural i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Sakaq, takimi mes dy liderëve do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp, që do të zhvillohet në orën 11:30. Po ashtu, Haradinaj pritet të takohet me presidentin e Republikës, Ilir Meta në 12:20, në ambientet e Presidencës, dhe më pas ai do të largohet drejt Malit të Zi, ku do të diskutojë mbi demarkacionin.