Kush ndjek intensivisht zhvillimet e fushatës paraprake për zgjedhjet e 25 prillit, ka vënë re me siguri se nga krahu i PS-së, madje ndonjëherë më shumë se vetë Rama, i kudogjendur është kryebashkiaku Erion Veliaj. I ngarkuar nga Rama si drejtues për qarkun e Tiranës, Veliaj na mbin në tv e portale 3 e deri 4 herë në ditë.
Por ndërsa ky zell i Veliajt për mandatin e tretë të Edi Ramës shfaqet publikisht kudo, nën rrogoz zërat nga ‘klani i bashkisë’ flasin për një dëshirë të fshehur të “lalit” për humbjen e babait të tij politik në këto zgjedhje.
Sipas këtyre zërave mjaft të rezervuar, që mbërritën pa dashur edhe në veshin e “standard”, Veliaj i sheh këto zgjedhje si mundësinë më të mirë për të plotësuar ëndrrën tashmë të kthyer në objektiv primar të Veliajt, për marrjen e kryesimit të PS. Por Veliaj nuk ka aq këllqe sa të dalë publikisht në këtë betejë brenda rradhëve, pasi e di se do ishte ‘kurbani’ i radhës nga Rama. Kështu ka ndjekur strategjinë që i shkon edhe më shunë përshtat profilit të tij: sulmet skuthshe.
Kështu ndonëse Veliaj del e flet çdo ditë për rëndësinë e mandatit të tretë, nëndheshëm me stafin e tij të ngushtë punon për të kundërtën e këtij objektivi. Këto dëshira dhe synime të Veliajt kanë mbërritur edhe në veshin e Ramës, i cili prej ditësh tashmë e ka dubluar Veliajn në çdo takim që mban. Një herë shoqërohet nga Ervin Bushati, një herë tjetër nga Spiropali e cila megjithëse njihet si ‘prurje’ e Veliajt në PE, mbetet besnike e Ramës.
Veliaj e di mirë se një mandat i tretë i Ramës shuan thuajse përfundimisht objektivin e tij për marrjen e drejtimit të PS. Një mandat tjetër me Ramën do i ulte shanset në maksimum të Veliajt, pasi ai me.siguri në përfundim të tij nuk do ketë më as pushtetin e kryebashkiakut të Tiranës. Rama do projektojë një tjetër pasardhës të tij, marrë shkas edhe nga megallomania e tij, për të qenë numri 1. Me protagonizmin e Veliajt kjo devizë e Ramës do bjerë shpejt, pasi si kryebashkiak dhe Veliaj nuk mbahet me daljet publike, mendoni se çfarë do ndodh po të marrë kryesimin e PS-së.
Në arritjen e objektivit të tij Erion Veliaj ka mbështetjen e një prej emrave ‘big’ brenda PS si Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ka mëri të forta me Ramën dhe nuk do ndihej aspak i keqardhur nëse i jepte një dorë Veliajt në synimin e tij. Vetëm me humbjen e Ramës në këto zgjedhje , mundësohet largimi i tij nga kryesimi i PS-së. Dhe kjo do të gëzonte më shumë se të gjithë, pikërisht Erion Veliajn.
Deri në 25 prill mbetet të shohim si do vazhdojë ecuria e kësaj beteje të nëndheshme, e cila po luhet nga Veliaj dhe ‘klani i bashkisë’ me shumë kujdes dhe njëkohësisht mjaft intensivisht. /Editorial nga Starndard.al/