Ministrat teknikë të emëruar nga PD-ja dhe zëvendësministrat apo drejtuesit e administratës, gjatë muajve të bashkëqeverisjes, janë përfshirë në debate të forta brenda tyre.
“Panorama” ka siguruar sherrin me e-maile që ka zhvilluar ministrja e Financave, Helga Vukaj me zv.ministren Irena Beqiraj dhe kabineti i ministres me drejtuesit e Tatim-Taksave.
Ministrja Vukaj, në e-maile, ka akuzuar Sekretaren e Përgjithshme, Geraldina Prodani, në shkeljen e urdhrit të saj për moslejimin e drejtuesve të Financave për t’u larguar jashtë vendit pa e vënë në dijeni.
Ndërkohë që zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj është përplasur me zv.kryeministren Ledina Mandija për rolin e ministres Vukaj, për të cilën është shprehur se është e paaftë për të drejtuar ministrinë.
Nga konflikti i vazhdueshëm, ministrja Vukaj i ka dërguar dhe një letër konfidenciale kryeministrit Rama, të cilit i ka renditur shqetësimet dhe pengesat që i kanë ngritur zv.ministrat dhe administrata tatimore.
“Mungesa e bashkëpunimit arrin deri në mbajtjen peng të të dhënave të numrit të gjelbër të denoncimeve të ardhura që nga data 25.05.2017, apo me fshehjen e informacioneve të tjera, mungesa e njohjes, e cila cenon rëndë arkën e shtetit dhe interesin publik.
Është papërgjegjshmëri që këta zyrtarë shteti arrijnë deri aty sa të konsiderojnë “sekret” dhe vazhdimësinë e axhendës së ministrit apo pjesëmarrjen e tij si autorizuar i Qeverisë dhe shtetit shqiptar në strukturat e larta drejtuese me efekt vendimmarrje në emër e për llogari të interesit publik.
Mungon bashkëpunimi dhe kjo është kthyer në fenomen. Situata bëhet dhe më e papranueshme për shkak të qëndrimeve arrogante, jashtë çdo norme etike, morale dhe qytetare. Vërejmë me shqetësim të thellë që zv.ministrja Irena Beqiraj dhe sekretarja znj. Prodani, po shantazhojnë punonjësit e aparatit të ministrisë duke u kërkuar atyre që të mos japin asnjë lloj informacioni për Kabinetin e Ministrit, me fjali të tipit:
“Do rikthehemi sërish me datë 27 qershor”. Kontrollohet në mënyrë abuzive gjithë posta hyrëse dhe dalëse e ministrit. Zoti Kryeministër, kërkojmë nga ana juaj ndërhyrjen e menjëhershme”, thuhet në letrën e ministres Vukaj./panorama/
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!