Voltana Ademi: Pa gjetur zgjidhje shqetësimet e drejta të banorëve, By Pass- i nuk mund të përfundojë dhe të…

Loading...

By Pass-i Perendimor i Shkodrës mbetet akoma pa zgjidhje që kanë të bëjnë me shqetësimet e banorëve që preken nga ndërtimi i kësaj rruge. Ndërtimi i një vepre kaq të rëndësishme infrastrukturore pa marrë në konsideratë të drejtën e pronës, e pa u kryer asnje procedure shpronësimi e kompensimi, është një tradhëti ndaj banorëve të asaj zone. Problemet që banorët kanë, lidhur me pamundësinë e përdorimit të kësaj rruge si rezultat i mungesës së rrugëve dytësore, aksesit për hyrje –dalje për ata që banojnë në dy anët e rrugës, ka sjellë një problem tjetër të madh që ndikon në jetën sociale e ekonomike të tyre.

Janë me dhjetra shkresat zyrtare dërguar ARRSH-së, Ministrisë, Kryeministrisë, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve, që prej kohësh janë adresuar nga Bashkia Shkodër dhe nga vetë banorët. Deri tani, çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër!

Banorët e Dobraçit në Njësinë Administrative Rrethina, por edhe ata të Kirasit e të Zooteknikës në Shkodër, kërkojnë të drejtat e tyre legjitime.

– Ka 6 vite që kanë nisur punimet për veprën “By Pass-i Perendimor i Shkodrës”, por akoma pronarët e tokave dhe trojeve ku kalon kjo rrugë nuk janë shpronësuar, një e drejtë kjo që ua jep Kushtetuta e ligji shqiptar.

– Për po kaq vite, si pasojë e punimeve, banorët nuk kanë mundur të shfrytëzojnë pronat e tyre, pjesa më e madhe e të cilave janë ndarë mes për mes nga rruga. Me të drejtë, ata kërkojnë atë që kjo të konsiderohet si një fitim i munguar. Dhe po flasim për familje që ekzistencën apo mbijetesën e tyre, e kishin bazuar pikërisht në shfrytëzimin e këtyre pronave që shteti ua mori për interes publik.

– Ata kërkojnë që t’u bëhet vlerësimin i drejtë i pronës, në bazë të dokumentave që ata kanë në zotërim. Më pas, të marrin vlerën e pronave që shpronësohen e kjo të bëhet sipas procedurës ligjore, duke u përcaktuar edhe afati se kur do të marrin paratë e pronës së tyre që u shpronësohet për interes publik.

– Projekti i By Pass-it që po zbatohet aktualisht ka pësuar ndryshime drastike. Për pasojë mungojnë rrugët, aksesi në këtë bypass për të gjithë banorët që banojnë në dy anët e rrugës. Mungojnë rrugët dytësore dhe hyrje- daljet dhe shfrytëzimi i kësaj infrastrukture bëhet i pa mundur për këta qytetarë.

– Rruga që po ndërtohet nuk mundëson për këta banorë aksesin në banesat dhe pronat e Dobraçit, Kirasit e Zooteknikës. Ndërtimi i kësaj rruge, në mënyrën sesi kjo po ndërtohet nuk mundëson përdorimin e saj nga askush në këtë zonë, e për më tepër ajo bëhet e rrezikshme duke cënuar sigurinë për jetën e banorëve, veçanërisht të fëmijëve.

Si hap të parë kemi propozuar që specialistët e ARRSH-së të vijnë në vend dhe të vlerësojnë situatën. Bazuar në vlerësimin e tyre teknik dhe në konsultimin me banorët, të bëjnë zgjidhjet teknike të duhura.

Askush nuk është kundër ndërtimit të “By Pass-it”, por ajo që duhet të merret në konsideratë e të jetë prioritare është interesi i qytetarëve, e më në veçanti, i atyre që jetojnë në dy anët e rrugës.

Pa gjetur zgjidhje shqetësimet e drejta të banorëve, By Pass-i nuk mund të përfundojë dhe nuk mund të quhet vepër e suksesshme që përmirëson standartet e jetës së tyre.

Banorët shprehin vullnetin për të gjetur zgjidhje. Jo vetëm për interesat e tyre, por për një komunitet më të gjërë, pasi kjo rrugë do të shfrytëzohet nga mijëra banorë të Shkodrës e përtej.

Bashkia Shkodër mbështet mbrotjen e interesave të qytetarëve të saj, e njëkohësisht kërkon që kjo vepër të përfundojë sa më shpejt dhe brenda standareteve të kërkuara. /Nga Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër/

Loading...